Ironia e Presidentit me kryeministrin: Ja për çfarë Rama meriton 10 me yll
Presidenti Ilir Meta i ftuar në forumin “Biseda për tranzicionin”, nën moderimin e Prof.Asoc.Dr. Belina Budini me studentë të UET, ka komentuar rolin e tij si President, se si do të mbahet mend.
Meta tha se ai nuk mund të përgjigjej në kohën që është ende në detyrë, ndërkohë që veçoi rastin pas bojkotit të Kuvendit nga opozita dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, duke shtuar se Presidenti u bë mbrojtësi i vetëm i demokracisë në vend.
“Jam ende në krye të detyrës nuk di ta them si do mbahem mend, por me kënaqësi e them se pas largimit të opozitës nga Kuvendi dhe mos futjen në zgjedhje, pas përpjekjeve sistematike të kryeministrit për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti ishte i vetmi institucion që punonte që demokracia të mos binte në blackout”,- tha ai.
Meta më pas vlerësoi edhe kryeministrin Rama me një “10 me yll” siç tha që e meriton për manipulimin e raporteve dërguar ndërkombëtarëve. “Meriton 10 me yll se ka manipuluar raportet ndërkombëtare, sikur këtu po bëhej çudi me reformat, ne e dinë se po të kishte ecur kështu me reformat do na ishin çelur negociatat. Qeveria ka dalë nga kontrolli i popullit, përpiqet ta intimidojë e frikësojë popullin. Ky nuk është tipari i një vendi demokratik. Ne as pas 2025 nuk i çelim dot negociatat”.