Ish-deputetja e LSI: Rama është bërë njësh me gënjeshtrat e tij, për të vënë kujën

Ish-deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj rikujton deklaratat e kryeministrit Edi Rama në qershor të këtij viti për kushtet e hapjes së negociatave dhe i vë përballë deklaratën e sotme të diplomates gjermane Suszane Shutz.

Mehmetaj shkruan se Rama është bërë njësh me gënjeshtrat e tij. Ajo deklaron se gënjeshtrat e propaganda e Ramës e kanë kaluar tani edhe fazën e humorit e janë bërë për të vënë kujën.

POSTIMI I MEHMETAJT
Më datë 19 qershor të këtij viti Kryeministri Edi Rama shkroi këto fjalë në Tëitter:
“Po mirë, kur paska 15 kushte për nisjen formale të negociatave për anëtarësim, për çfarë duhej kjo rezoluta e partive aleate të PD në Parlamentin Europian që u votua pa konsensus?

E pra, nuk ka 15 kushte për uljen në tryezë me BE, sepse 7X7 s’bëjnë 42 në asnjë vend të botës! Dhe nëse pastaj kjo 15-ta duhet për politikë e prandaj bashkohen kushtet e fillimit me ato”.
Ndërsa sot Suszane Shutz, Drejtoreshë e Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Gjermane, është shprehur kështu:

“Ne synojmë të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse plotësohen kushtet, gjithashtu edhe me Shqipërinë gjatë presidencës sonë të Këshillit”

Nuk duhet shumë mund për të krahasuar këto dy deklarata e për të dalë në përfundimin se Rama është bërë njësh me gënjeshtrat e tij.

Nëse nuk do jetoje në Shqipëri e do dëgjoje e lexoje vetëm ato qo thotë Rama, vendi ynë do i kishte hapur negociatat së paku 3 vite më parë, do kishim së paku 3 aeroporte, rrugë e tunele të reja, korpuse universitare, 300 mijë vende pune më shumë se në 2013-ën, spitale si të Amerikës, pensione të krahasueshme me Suedinë e Danimarkën, etj, etj…
Pra e thënë shkurt, gënjeshtrat e propaganda e Ramës e kanë kaluar tani edhe fazën e humorit e janë bërë për të vënë kujën.
Ps. Kështu si vajti puna të vjen keq edhe Pinokun ta krahasosh me Ramën… Se Pinoku, si përfundim, mësoi se s’duhej të gënjente e u bë fëmijë i mbarë.

SHKARKO APP