Ish-kryeministri Berisha: Një ditë historike për Kosovën dhe kombin shqiptar!
Ish-kryeministri Sali Berisha përshëndet marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar sot në Shtëpinë e Bardhë në prani të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Përmes rrjeteve sociale, Berisha shprehet se kjo marrëveshje është një arritje historike për Kosovën dhe kombin shqiptar, dhe një sukses i padiskutueshëm i diplomacisë së SHBA-së dhe personalisht e presidentit Donald Trump dhe përfaqësuesve të tij.
“Miq, sot pasdite u firmos në Washington, në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike të Kosovës me Serbinë.
Kjo marrëveshje është një arritje historike për Kosovën dhe kombin shqiptar, dhe një sukses i padiskutueshëm i diplomacisë së SHBA dhe personalisht e presidentit Donald Trump dhe përfaqësuesve të tij.
Marrëveshja do shënojë një kthesë të madhe në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe në bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal.
Me këtë rast, le të urojmë ne përzemërsisht qeverinë dhe popullin e Kosovës dhe të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë SHBA-ve dhe presidentit Donald Trump për rolin e tyre përcaktues në arritjen e kësaj marrëveshjeje historike”, shprehet ish-kryeministri Sali Berisha.