Ish-ministri Bushati me tone të forta: Shqipërisë nuk i takon t’i shkelë syrin Beogradit

Ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk ka qëndrim të ngjashëm me linjën e ndjekur nga Tirana zyrtare në raport me Kosovën dhe Serbinë. Me bindjen se Kosova është çështje e interesit kombëtar dhe jo çështje klasike e politikës së jashtme, Ditmir Bushati kërkoi që qeveria të rishikojë pozicionin e saj në raport me vendet e rajonit, veçanërisht me Serbinë.

“Politika jonë e jashtme është orientuar mes Italisë dhe Greqisë për të dëshmuar përkatësinë tonë europiane dhe mesdhetare. Serbinë duhet ta shohim përmes syve të Kosovës. Kjo nuk do të thotë se me Serbinë nuk duhet të kultivojmë një marrëdhënie normale, por mbase as pas 50 apo 100 vitesh ne nuk do të jemi dot miq me Serbinë. Çdo lloj rruge normaliteti dhe miqësie duhet të kalojë përmes Kosovës”,-tha zoti Bushati gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço në RTSH.

Me nota kritike ndaj qëndrimeve, sipas tij, përkëdhelëse ndaj Serbisë, Ditmir Bushati e thotë hapur se ky nuk është një qendrim që i takon Shqipërisë ta mbajë. “Perëndimi e ka përkëdhelur Serbinë veçanërisht 2 vitet e fundit, pas agresionit rus në Ukrainë. I ka shkelur syrin qoftë për qasjen autokratike, qoftë për qasjen ndaj fqinjëve.

Shqipërisë nuk i takon ky pozicion, sepse ne, përpara se të jemi euroatlantikë, kemi interesat tona kombëtare si shqiptarë. Shihni Kroacinë si reagon për çdo gjë që bën Serbia në Kosovë. Janë kroatët më pak apo më shumë euroatlantikë se ne? Jo! Kanë një interes kombëtar më shumë se ne në Kosovë? Kurrësesi”,-theksoi Bushati.

SHKARKO APP