Ish-ministri i Drejtësisë, Halimi: Vetting-u të mbarojë sa më parë pasi u tejzgjat
Ndryshe sesi mendon qeveria, ish-ministri i Drejtësisë i PD-së Eduart Halimi thotë se Vetting-u duhet që të mbarojë sa më parë. Për të i gjithë faji për mungesat e gjyqtarëve e prokurorëve në vend, është i institucioneve të drejtësisë së re, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor. Për të këto institucione s’janë transparente me publikun.
Nëse do të ishit në parlament, do ta jepnit votën pro zgjatjes së afatit të Vetting-ut, minimumi edhe me 2 vite, siç ka propozuar një draft mazhoranca sot?
Debati është nëse duhet t’ia zgjatim apo të mos ia zgjatim mandatin 15 anëtarëve që janë të KPK-së, ky është debati. Ajo që unë e kam shkruar dhe e kam thënë edhe më përpara në media, është që opozita ka zero interes në këtë debat. Ka zero interes sepse interesi i opozitës sot është që ky proces të mos jetë i kapur politikisht.
Anëtarët e KPK-së që janë në detyrë, që kërkohet t’u zgjatet mandati, sipas artikulimeve që vetë ka bërë opozita, janë njerëz lehtësisht të shantazhueshëm për faktin e problemeve që vetë ata nuk e kanë kaluar Vetting-un, vetë ata nuk plotësojnë kushtet Vetting-ut, kanë probleme me drejtësinë. A ka ndonjë opozitë në ndonjë vend demokratik që të thotë po, unë jam dakord që motra e ministres apo kushdo qoftë, mund të jetë edhe njeriu më parimor, por motra e ministres të bëjë Vetting-un. Mund ta bëjë opozita këtë gjë? Pra këtu nuk ka interes.
Alternativa tjetër është që, në qoftë se nuk e bën motra e ministres do ta bëjë kunati i ministres tjetër. A je dakord ti me këtë gjë? Kë do, kush të pëlqen? Ajo që më intereson mua si konsumator i drejtësisë është që të përfundojë ky proces një orë e më parë, që të mos ketë asnjë kompetencë ministri apo kryeministri i radhës që të bëjë presion mbi gjykatat.
Si e shihni vendin në procesin post reformë ose Vetting ende të papërfunduar, ndryshime shumë të mëdha të institucioneve si Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme? Është më e drejtë dikur, sot, apo e parashihni më të drejtë nesër?
Në qoftë se do të kishim pasur më shumë besim ndaj njëri-tjetrit, në qoftë se do të ishim treguar më vizionarë dhe jo duke menduar për emra për t’i çuar, mendoj se do të kishte qenë më mirë. Përsëri ngelet një proces i cili solli një anë të mirë, largoi një pjesë të gjyqtarëve e të prokurorëve, dëmtoi një pjesë pa të drejtë, sepse nuk ishte një proces larg selektivitetit, pra u bë një proces selektiv, ju jeni një nga mediat që keni bërë më shumë analiza. Është një proces që sigurisht nuk mund të ishte perfekt, por që mund të ishte shumë herë më i mirë, në qoftë se do të kishim pasur më shumë besim ndaj njëri-tjetrit, do të kishim pasur më shumë komunikim, do të kishim vënë më tepër interesin e një drejtësie të mirë sesa interesin për ta kapur këtë organ apo organin tjetër.
Pjesë nga intervista për Report Tv