Ish-ministri i PD, Aldo Bumçi merret në pyetje nga SPAK
Ish-ministri i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi ka shkuar ditën e sotme në SPAK. Mësohet se Bumçi do të pyetet si person që ka dijeni në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
Në dalje nga Prokuroria e Posaçme, Bumçi u ndal për një prononcim për mediat.
“Qëndrimet e ministrisë së Drejtësisë dhe të miat si ministër Drejtësie janë të dokumentuara në qëndrimet publike që kemi mbajtur në atë kohë. Në mbledhjen e parë të qeverisë, vendimi i propozuar nga Ministra e Mbrojtës për Gërdecin nuk miratohet. Ministria e Drejtësisë kishte një sërë vërejtjesh dhe nuk miratohet. Vendoset kontakti mes dy ministrive që ato të merrnin parasysh vërejtjet ligjore.
Siç e ka ministria e drejtësisë, e mbrojtjes, përgjigja e dërguar nga ne nuk ka asnjë shënim të tillë. Kjo është me datë. Vendimi është trajtuar në dy mbledhje dhe jo në një. Pasi i kemi çuar Ministrisë së Mbrojtjes qëndrimin tonë zyrtar se nuk kishim vërejtje, sepse ata i kishin marrë parasysh vërejtjet del një shkresë që ka një shënim në anë për zotin Shkëlzen Berisha. Kjo shkresë është e falsifikuar dhe nuk i qëndron asnjë testi logjik. Ministria e Mbrojtjes e kishte përgjigjen tonë. Nuk kishte nevojë për një shkresë tjetër.
Nëse unë do kisha nevojë të komunikoja me zotin Shkëlzen Berisha do e bëja këta me faks nga Ministria e Mbrojtjes, do e bëja për çfarë? Që nuk kemi vërejtje. Këtë mund ta bësh me telefon, me mesazh, po ti nuk ke nevojë të çosh faks në Ministrinë e Mbrojtjes për zotin Shkëlzen Berisha“, tha Bumçi.