Ish-ministri i PS, Elmaz Sherifi: Flakën do t’i vënë edhe Kodit Zgjedhor, siç bënë me Kushtetutën
Nga Elmaz Sherifi, ish-ministër i PS
Flakën do t’i vënë edhe Kodit Zgjedhor, si bënë me kushtetutën!
Janë marrosur! A i dëgjoni si janë shpërfytyruar. Të tmerruar nga humbja e pushtetit po shfaqen edhe përpara ndërkombëtarëve si “mbreti lakuriq”.
Gjiknuri, ky “kryetar i reformës”, mendon, se të gjithë kanë nivelin politik dhe juridik të grupeve parlamentare, të “ferrave” e “drizave”, me të cilët janë tallur e tallen, dhe si po e shihni tani del hapur edhe kundër firmës së tij në “Këshillin Politik”.
Momenti më qesharak i tij është kur kërkon t’i sjellin një model të koalicioneve nga një vend i BE.
O temporas o mores!
Ky, që ndryshon kushtetutën, sa herë, e si i do qejfi, duke e interpretuar atë vetë, në vend të Gjykatës Kushtetuese, shet si model perëndimor “shkrirjen” e partive politike, të cilat janë subjekte politike kushtetuese, në një parti zgjedhore!
Më komike bëhet ai dhe ata që e mbështesin, kur “argumenton” për syleshët, se, nëse pranohen koalicionet parazgjedhore, duhet një fletë votimi sa një çarçaf!
Ore babam! Po në qofte se të gjitha partitë politike vendosin të dalin më vete në zgjedhje, si do i shkurtosh çarçafët?
Lërini marritë! Tani të gjithë ata që e kanë “kokën mbi supe” ju kuptuan se e ndryshuat kushtetutën për të eleminuar koalicionet parazgjedhore. Por, pse jeni shumë të paaftë, ju me ndryshimin e saj, i ligjëruat koalicionet parazgjedhore, pasi me ndryshimin e bërë ju i ndaloni koalicionet të propozojnë kandidatët për deputetë. Nëse do të këtë koalicione parazgjedhore, kush do i propozojë kandidatët për deputetë?
E kuptuan më në fund edhe grupet parlamentare të “ferrave” dhe “drizave” se “Rilindja” është, edhe kundër listave të hapura. Por socialistët përse heshtin, sa herë Damiani bën budallain, por edhe tallet me ta, kur këmbengul se listat janë të “hapura”?
Rilindasit janë të vendosur për ta ndryshuar Kodin Zgjedhor, edhe nëse “opozita parlamentare” është kundër.
Ku do i gjejnë votat? Besoj se kuptohet që do i gjejnë te “opozita parlamentare”, e cila e mbaroi misionin e kambalecit. Ajo vetë shkoi në fund të fundit, si breshka te nallbani, kur ndryshuan kushtetutën dhe mbajten në foltoren e parlamentit fjalimet patetike, se si “koalicioni i shpëtimit të Shqipërisë”, pra ata dhe “Rilindja”, i “dhanë” për herë të parë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin drejtë për drejtë deputetët!
Rilindja po i bind edhe ndërkombetarët, se do ta bëjnë edhe Kodin Zgjedhor, si statutin e partisë, për t’i fituar zgjedhjet “gjallë a vdekur”!
Tërmet, tërmet, tërmet do të ketë, ashtu si në 2017, si ka urdhëruar filozofi surrelist i së drejtës!