Ish-ministri: “Shëndetësia falas” e Ramës, shëndetësi për klanin e PPP-ve

Ish-deputeti dhe ish-ministri, Tritan Shehu, me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se “shëndetësia falas” e Ramës është shëndetësi për klanin e PPP-ve.

Shehu thekson se qeveria Basha kryeministër do të sjellë shëndetësi për qytetarët, për të gjithë, pa dallim.

Postimi i ish-deputetit demokrat Tritan Shehu:

“Shëndetësia falas” e Ramës, “shëndetësi” për “klanin” e PPP-ve.

Qeveria Basha do te sjellë “Shëndetësi për qytetarët”. “Shëndet për të gjithë”!

Programi i ynë synon që sistemet shëndetësore të funksionojnë për qytetarin pavarësisht gjendjes sociale, moshës, sëmundjeve etj, duke e vendosur pacientin në qendër të sistemit.

Kjo kërkon përmbysje në kolonat mbi të cilat u ngrit në këto 8 vite një sistem i deformuar dhe ndërtimin e tij mbi koncepte europiane:

1-Vetëm Financimi shumëburimesh i sistemit do të bëjë të mundur nxjerrjen nga varfëria aktuale duke e bërë autonom, të qëndrueshëm dhe social. Kjo së bashku me ndryshimet në menaxhim, transparencën e kolegjialitetin do te çojë në eliminimin e keqpërdorimeve të fondeve, korrupsionit e monopoleve.

Konvertimi i pagesave direkte të larta e abuzive në kontribute direkte me injektime në rritje nga buxheti, duke u larguar nga skemat e një “blerësi të vetëm”, përbëjnë bazën e efekasitetit të fondeve, forcimin e politikave sociale.

2-Funksionimi i sistemit parësor e spitalor të decentralizuar, të përbërë nga “spitali ndërmarrje” dhe “profesionisti i lirë” për parësorin, mjek familje a specialist ky, mbi parimin demokratik “paraja ndjek pacientin të lirë në përzgjedhje të shërbimit”, bazuar në indekset e kostos DRG për spitalet apo të prestacioneve e kartelave për parësorin, përbëjnë “motorët” e sistemit.

3-Publiku e privati i konvencionuar janë pjesë integrale e sistemit tonë shëndetësor te arritshëm nga qytetari, që zgjedh ndërsa “paraja” e ndjek ate, duke u bërë kjo një nga format me efikase edhe të luftës me pagesat korruptive e ilegale.

4-Sistemi farmaceutik nën divizën europiane si një “sektor publik i menaxhuar nga privati” do të garantojë “sigurinë medikamentoze” e “farmako-vigjilencën”, duke implementuar parimin e BE “liberalizim dhe siguri” në çdo regjistrim të preparateve të huaja apo vendase. Kjo së bashku me rimbursimin sipas diagnozës e të drejtës së mjekut e pacientit të zgjedhjes midis disa opsioneve, rritjes së listës aktuale tejet të shkurtër të rimbursimeve e përqindjes së tyre, do t’i sigurojë publikut akses të përshtatshëm për skemat moderne të mjekimit.

5-Futja në skemë e shumë nga procedurat bazale të stomatologjisë, kodifikimi i kontrollit mbi ato e materialet e konsumit në përgjithesi, përbëjnë një tjetër kolonë.

6-Në kushtet aktuale të një braktisje të qytetarëve përballë kësaj pandemie të rrezikshme Covid, kontrolli i saj nëpërmjet masave të shprehura qartësisht më parë, vaksinimit masiv të popullsisë etj, përbëjnë një prioritet absolut.

7-Ky program kërkon dhe burimë të gjera e të kualifikuara njerëzore, menaxherë, mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë, fizioterapistë, laborantë, teknikë etj, që shumë prej të cilëve janë sot një “specie në zhdukje”. Këta janë implentuesit direkt të ndryshimit, si dhe bashkautoret e tij.

Kjo kërkon masa të gjera e gjithëpërfshirëse që nga përgatitja universitare, specializimet, kualifikimet, aktivitetet shkencore e profesionale, pasjisjet e institucioneve shëndetësore, e deri te rivendosja e autoritetit e dinjitetit tashmë të nëpërkëmbur të tyre, qoftë dhe me pagesat dinjitoze.

Në gjendjen e rëndë aktuale këto pa dyshim nuk janë të lehta, por asgjë nuk do të jetë e pamundur mbas 25 prillit.

SHKARKO APP