Ish-ministrja Arta Dade: E majta duhet reformuar

Ish-deputetja socialiste Arta Dade thotë se e majta në Shqipëri ka nevojë të riorganizohet. Në një intervistë me gazetaren Juli Xhokaxhi në studion e ABC, Dade u shpreh se forcat politike janë organizma që lëvizin por njerëzit duhet të largohen vetëm në bazë të votës dhe një gare të drejtë.

Ajo theksoi se është diskriminuese dhe kundër kritereve të BE, që përzgjedhja për të qenë në politikë të bëhet në bazë të moshës duke marrë shembull disa figura të njohura të politikës në botë.

“Forcat politike janë organizma që lëvizin por mënyra si janë larguar njerëzit është e dhimbshme. Mendoj se në politikë mund të largohesh kur nuk votohesh dhe kur bëhet një garë konform rregullave. Unë besoj që patjetër duhet të ruhet një ekuilibër mes të rinjve dhe njerëzve me përvojë. Mosha nuk është asgjë. Është thjeshtë një periudhë e jetës që do e kalojë secili.

Mund të jesh i ri dhe mund të jesh me koncepte. Nëse do shikojmë Nancy Pelosin që drejton Kongresin Amerikan i ka kaluar 80-vjeç. Ajo e ka në vazhdimësi karrierën në politikë dhe ka ende shumë për të dhënë për vendin. Mosha nuk është gjë. Ajo ndarja në moshë është diskriminuese dhe është një nga kriteret që nuk e pranon as BE. Njerëzit që kanë energji dhe përvojën e duhur”, tha Dade.

Ajo kujtoi momentin e largimin nga posti i ministres së qeverisë socialiste, duke theksuar se marrja e këtij vendimi kërkon disa cilësi që në politikën e sotme mungojnë. Dade u shpreh se në PS sot ka njerëz që nuk e njohin historinë e të majtës, duke nënvizuar se e majta ka nevojë për disa elementë duke e krahasuar atë me një akullnajë të ftohtë.

“Kryeministri e kishte zgjedhur edhe ministren që do më zëvendësonte. Presidenti nuk donte të hidhte firmën në shkarkimin tim. Dorëheqja kërkon disa elementë që ndoshta në politikën e sotme mungojnë. Kurrë nuk duhet thënë kurrë pavarësisht se unë nuk jam shkëputur nga politika. E majta duhet riorganizuar.

Ka shumë për të riformatuar dhe duhen elementë që e ndjejnë të majtën sepse politika nuk mund të jetë e ftohtë akullnajë. Për fat të keq nuk e njohin historinë e krijimit të së majtës. Është koha për një të majtë që mendon për politika dhe atë vizion që kërkon e majta europiane. Politika duhet të rivendosë mbi shina atë që i duhet vendit”, u shpreh ajo.

SHKARKO APP