Ish-truproja e Lindita Nikollës, Kryeministri Rama-qytetarëve: Kurajo, denonconi çdo rast!
Kryeministri Edi Rama ka reguar menjëherë në lidhje me ish-truprojën e ministres Lindita Nikolla, i cili po gjykohet për marrje rryshfeti, teksa kishte mashtruar dy qytetarë në Korçë, për të punësuar familjarët e tyre në arsim. – “Fillim tetorin e shkuar, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u njoftua për shqetësimin e një qytetari në Korçë, lidhur me ofertën e bërë prej truprojës së saj për t’i gjetur një punë në arsim përkundër rryshfetit. Ministrja i kërkoi menjëherë Gardës së Republikës largimin e truprojës dhe Garda jo vetëm e tërhoqi atë brenda orës nga shërbimi pranë ministres, po e largoi edhe nga radhët e veta. Sot ky individ i padëshirueshëm është nën akuzë konkrete nga Prokuroria pas një hetimi të thelluar. Ai do të përgjigjet për abuzimin e tij me detyrën shtetërore si dhe cënimin e imazhit të institucionit,” – u shpreh Rama, gjatë reagimit në profilin e tij Facebook. – “Mora shkas nga ky episod per t’ju thënë se, sikur të gjithë qytetarët të veprojnë si qytetari korçar në fjalë, kudo dhe kurdoherë që u del përpara fara e keqe e abuzuesve me funksionin publik, Shqipëria do të marrë frymë shumë më e lehtësuar nga barra e korrupsionit. Prandaj paralelisht me përshkallëzimin e reformave reale që mbyllin kanalet e korrupsionit në çdo sektor, ne duam që ky vit të shënojë edhe një kohë të re partneriteti kombëtar mes qeverisë dhe qytetarëve në luftën kundër korrupsionit! Për këtë qëllim prioritar, do të lançojmë në ditët në vijim platformën më të madhe online që është krijuar deri sot në vendin tonë, për ta mundësuar në kohë reale dhe me transparencë maksimale, funksionimin e këtij partneriteti të ri kombëtar.” Në fund Rama e mbyll me një mirënjohje për qytetarin korçar, që ngriti zërin përballë një abuzuesi me funksionin publik, por shprehu mirënjohje dhe atyre pak të tjerëve, të cilët kanë bërë të njëjtën gjë vitin e shkuar dhe shtoi se “na kanë ndihmuar të bëjmë edhe në tatime, polici, shëndetësi, të njëjtën gjë që bëri Lindita Nikolla në rastin konkret! Le të shumëfishojmë forcat dhe së bashku, krah per krah të bëjmë të shumëfishohen rastet e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes qeverisë e qytetarëve, për shkuljen e farës së keqe të abuzuesve me pozitën apo detyrën shtetërore.” Përfundoi reagimkin e tij Edi Rama, me një “Kurajo!” ndaj qytetarëve që të denoncojnë rastet e korrupsionit, duke premtuar se qeveria e tij është gati t’i godasë me forcë.