Andi Bejtja: Ishte Kryeministri i Qipros a i Shqipërisë!?
Nga Andi Bejtja-
Ishte Kryeministri i Qipros a i Shqipërisë!?
Drafti i propozuar sot nga Kryeministri Shqiptar Edi Rama për asocacionin në Kosovë, mund të merrte kuptim nëqoftëse do të ishte një draft i një Kryeministri të një nga ato pesë vende Europiane që nuk e njohin Kosovën, por është e pamendueshme të vijë nga një Kryeministër i një Republike, që jo vetëm e ka ndihmuar për Pavarësinë, por dhe i një Republike që i përket një kombi të njejtë.
As ligjërisht (pa u konsultuar me institucionet e Republikës së Shqipërisë), as kombëtarisht pa u Konsultuar me autoritetet e Kosovës, ose minimum pa i vënë në dijeni kjo iniciativë në thelb, mjerisht, dëshmon se Edi Rama jo vetëm nuk i respekton autoritetet e Kosovës, por në vetvete dhe nuk e njeh Kosovën.
Thirrjet që policia e Kosovës të largohet nga territori i saj nuk janë as më pak e as më shumë po thjesht antikushtetuese. Edhe shprehjet se “ndërkombëtarët janë Zot Shtëpie në Kosovë” në vetvete nuk janë gjë tjetër veçse minim elegant i këtyre institucioneve. Për më tepër e gjitha bëhet në një kontekst kur Kryeministri i vendit Albin Kurti po bën përpjekje titanike për të sqaruar ndërkombëtarët për pozicionin e tij, mision që është në rrugë e sipër. Për të mos shkuar më thellë, në rastin më të mirë Rama në këtë konflikt, mund të gjejë hapësira prej negociatori, për t’u bërë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për ata ndërkombëtarë që “paktin për stabilitet” e kanë më të rëndesishëm se “pakti për demokraci”, i rëndësishëm për gjeopolitikën e rajonit dhe më gjerë, por edhe kjo me vetëdije a pa vetëdije, është një lojë e rëndë për shqiptarët kudo që jetojnë dhe nuk ke hezitim për t’i vënë etiketën më të rëndë të mundshme.