Islami: Po fërkohen dy pllaka, PS do shkojë e shpartalluar në zgjedhje

Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami, i ftuar në Syri TV, komentoi situatën brenda Partisë Socialiste pas tensioneve të forta në qarkun e Shkodrës.

Islami tha se të tilla tensione do të vazhdojnë.

Duke bërë një historik të PS-së, Islami tha se shumë gjëra ndryshuan kur pushtetin brenda partisë e mori Edi Rama dhe Rilindja.

“Komponentët e Rilindjes janë individët me rekorde kriminale, të fortët me lekë, oligarkët, trashëgimtarët e nomenklaturës së vjetër dhe njerëz që vijnë nga G99 dhe Mjaft-i. Rama ishte drejtues i gjithë këtij formatimi. PS ka ruajtur traditën e vjetër duke vazhduar të votojnë, edhe pse nuk janë në pushtet realisht. Kjo pasi shumica e drejtuesve nuk janë socialistë,” tha Islami.

Sipas tij, tashmë po shohim një fazë tjetër, kur edhe vetë Rilindja po dobësohet dhe në skenë kanë dalë ‘anonimët e Ramës’. Islami tha se nuk është çudi që PS të shkojë në zgjedhje e shpartalluar.

“Unë besoj se fërkimi kryesor në Shkodër nuk është mes socialistëve dhe Rilindjes. Është më tepër mes njerëzve të Rilindjes dhe anonimëve. Po të shohësh edhe ministrat e rinj janë emra të padëgjuar në politikë. Kryesisht ka dy pllaka që po fërkohen; ajo e Rilindjes që është në dobësim e sipër dhe pllaka e anonimëve që Rama po mundohet të krijojë për të ushtruar pushtetin e tij të pakufishëm në qeverisjen e vendit. Unë mendoj që kjo që ka ndodhur në Shkodër, gradualisht do të ndodhë edhe në vendet e tjera. Nuk është çudi që PS të shkojë në zgjedhjet e ardhshme e shpartalluar,” tha Islami.

Sipas tij, socialistët po largohen gjithmonë e më shumë nga pushteti.

SHKARKO APP