Izraeli ka gjetur një tunel të fortifikuar, nën spitalin Al Shifa

-Zëri i Amerikës-

Ushtria izraelite tha të dielën se kishte zbuluar një tunel të gjatë prej 55 metrash, 10 metra nën kompleksin e spitalit Al-Shifa të Gazës.

Izraeli thotë se tuneli ishte i pajisur me shkallë, një derë të blinduar dhe një të çarë që mund të përdoret nga snajperët për të bllokuar forcat izraelite që të hyjnë brenda.

Forcat mbrojtëse të Izraelit thonë gjithashtu se boshti i tunelit ishte në një pjesë të kompleksit spitalor ku javën e kaluar u gjet një automjet i mbushur me armë.

Ushtria izraelite njofton se ishte ende duke hulumtuar se deri ku arrin tuneli.

“Gjetjet vërtetojnë qartë se ndërtesa të shumta në kompleksin e spitalit përdoren nga Hamasi si mbulesë për infrastrukturën dhe aktivitetet terroriste”, thotë ushtria e Izraelit.

Ushtria izraelite është nën trysni për të mbështetur pohimet e saj se spitali Al-Shifa është përdorur si bunker e qendër komanduese e Hamasit, grupit militant palestinez që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur si organizatë terroriste. Hamasi dhe personeli i spitalit i kanë mohuar akuzat.

Trupat izraelite që janë vendosur në spital dhe kanë bastisur terrenin e tij për ditë të tëra thonë se kanë gjetur armë dhe pajisje të tjera ushtarake si dhe kanë ofruar pamje filmike të asaj që thonë se është hyrja e një tuneli.

SHKARKO APP