Ja fletët e votimit që demokratët do të përdorin për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në 12 qarqe
Herion Mesi
Partia Demokratike është përfshirë në një proces të gjerë votimesh në kuadër të përzgjedhjes së kandidatëve që do ta përfaqësojnë partinë më të madhe të opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen më 25 prill 2021.
Kështu pasi u publikua kalendari i votimeve nga strukturat e PD-së në 12 qarqe, tashmë zbardhet dhe fleta e votimit që anëtarësia e PD-së do të votojë sipas datave të përcaktuara.
Konkretisht, anëtarësia e Partisë Demokratike në Devoll pasi propozoi emrat e kandidatëve që dëshirojnë t’i përfaqësojë në parlamentin e ardhshëm, voton në datën 7 Tetor një listë të filtruar me 5 emra.
Më pas, anëtarët do të kenë mundësi të kontestojnë 1 kandidat ose të konfirmojnë listën në bllok. Pra, do votohet kundër veç një kandidati, ose do miratohet lista me 5 emra.
Kalendari i votimeve
Një ditë më parë Partia Demokratike zbardhi datat e votimit të kandidatëve për deputetë në Partinë Demokratike në 12 qarqe të vendit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.
Mësohet se Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve në PD, është drejt finalizimit të punës për përzgjedhjen e kandidatëve. Bëhet e ditur se votimi për deputetë të PD në qarkun e Kukësit do të bëhet më 25 shtator, në Dibër më 26 shtator, në Gjirokastër më 27 shtator, në Berat më 28 shtator.
Votimi për deputetë të PD-në në qarkun Shkodër do të bëhet më 30 shtator, në Lezhë më 1 tetor, në Durrës më 3 tetor, në Vlorë më 5 tetor. Qytetarët do votojnë për kandidatët për deputetë nga PD në rrethet Korçë më 7 tetor, në Fier më 8 tetor, dhe në Tiranë më 10 tetor.
“Anëtarësia e Partisë Demokratike nis këtë javë votimin për kandidatët potencialë për deputetë. Kjo është hera e parë që anëtarët e një partie politike në Shqipëri propozojnë dhe votojnë për ata që duan t’i përfaqësojnë në parlament. Votimi është menduar të bëhet çdo ditë në 1 qark dhe do të zgjasë rreth 2 javë. Anëtarët do të kenë mundësi të kontestojnë 1 kandidat ose të konfirmojnë listën në bllok. Kandidatët që shkojnë për votim janë rreth 400, nga 1000 që ishte numri i tyre në fazën e parë të vlerësimit. Ata u përzgjodhën nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, të cilët kanë shqyrtuar, fillimisht, kriteret formale. Pas mbylljes së procesit të votimit nga anëtarësia, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve do të mblidhet sërish për të vlerësuar kandidatët mbi kriterin e performancës politike dhe maksimalizimin e votës. Vendimi përfundimtar i Komisionit do t’i shkojë për miratim Kryesisë së PD”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Partisë Demokratike.
Kalendari i votimeve
Qarku Kukës – 25 Shtator
Qarku Dibër – 26 Shtator
Qarku Gjirokastër – 27 Shtator
Qarku Berat – 28 Shtator
Qarku Shkodër – 30 Shtator
Qarku Lezhë – 1 Tetor
Qarku Durrës – 3 Tetor
Qarku Elbasan – 4 Tetor
Qarku Vlorë – 5 Tetor
Qarku Korçë – 7 Tetor
Qarku Fier – 8 Tetor
Qarku Tiranë – 10 Tetor