Ja si reagon Europa pas fitores së Syriza-s
Fitorja e koalicionit të së majtës radikale, siç është edhe domethënia e emrit akronimit Syriza, u prit me entuziasëm të madh mes popullit grek, i cili votoi masivisht ofertën e liderit të ri, Aleksis Tsipras. Ndërsa në Europë, reagimet kanë qenë të ndryshme.
Në Gjermani rezultati alarmoi kristiandemokratët e Angela Merkelit, e cila ka theksuar disa herë që Greqia duhet t’i qendrojë planit të aprovuar nga qeveria Samaras, dhe se nuk do të ketë ridiskutim të kushteve.
Pas rezultatit, vetë kancelarja gjermane nuk ka komentuar ende. Megjithatë, presidenti i Bankës së Gjermanisë, Jens, Vaidman, tha që shpresonte se qeveria e re greke nuk do të bënte premtime të cilat nuk mund t’I mbante.
Por për të majtën gjermane, fitorja e Syrizas është pritur si një shenjë për një fillim të ri në Euiropë. Në një deklaratë të përbashkët, liderët e së majtës, Katja Kiping dhe Bernd Riksinger, thanë se rezultati i zgjedhjeve në Greqi ishte një goditje e rëndë për trojkën dhe qeverinë gjemane.
Në Belgjikë, ministri i financave, Johan van Overtveldt tha se Greqia duhet të respektojë çdo marrëveshje që kanënshkruar, pasi nuk mund të bëhen ndryshime radikale në të.
Në Francë, Presidenti Fransua Holond, përgëzoi Syriza-n për suksesin dhe u zotua që do të punojë me të për të siguruar qendrueshmërinë e eurozonës.
Në Spanjë, partia simotër e Syriza-s, Podemos, e quajti fitore të popullit dhe sulmoi Gjermaninë. Përmes një postimi në twitter, ajo tha: “Greqia do të ketë një kryeministër të vërtetë dhe jo një mëkëmbës të Angela Merkelit. Do të punojmë për ta mbështetur Syriza-n në këtë realitet të ri politik dhe ekonomik”.