“Jam Ilir Meta o superbudallenj”/Presidenti: Ja kë paralajmërova dhe kush do të dëshpërohet pafund
Presidenti Ilir Meta, gjatë një interviste ka zbuluar se kujt iu drejtua me fjalët “Jam Ilir Meta o superbudallenj”.
Ai ka thënë në një televizion, se ata që do të dëshpërohen janë partitë politike që kanë asgjësuar partitë e vogla dhe kanë zhytur vendin në korrupsion të thellë.
Pjesë e intervistës:
Gazetari: Sipas Presidentit të Republikës, vendimmarrja e Parlamentit shqiptar për shkarkimin e Kreut të Shtetit, ishte e parapërgatitur, e paravendosur dhe me prapavijë politike, apo ishte thjesht një kërkesë për ta hequr këtë President me të cilin nuk bëhen zgjedhje siç ka ndodhur?
Presidenti Meta: Po si mund të behet Presidenti, zgjatim i tyre?
Pyetje: Në kuptimin, pjesë integrale e vetë drejtësisë?
Presidenti Meta: Presidenti ka ngelur ai që ka qenë edhe përpara 30 e ca viteve, student i dhjetorit 1990.
Presidenti, demokracinë e ka të parën, pluralizmin politik, natyrisht që e ka pasur, ka bindjet e veta politike, por demokracia është mbi çdo gjë, Kushtetuta është mbi çdo gjë.
Presidenti për Kushtetutën ka koherencën më absolute, në të gjithë klasën politike shqiptare.
Presidenti ka qenë në Kushtetutën e 98’, madje ka qenë kundër Kushtetutës së 94’, që u votua me referendum, sepse ajo krijonte me Kushtetutë një sistem autokratik në vend dhe e kemi fituar atë betejë.
Ka qenë në 98’ në krye të fushatës për Kushtetutën, që ishte Kushtetuta më e mirë, që u bë në vend dhe për fat të keq e kemi dëmtuar, e kemi sakatuar, në mënyrën më mizore.
Prandaj jemi këtu ku jemi.
Është paralizuar shteti i së drejtës dhe demokracia është në ditët e saj më të zeza, për fat të keq. Nuk ka parlamentarizëm, por ka autokraci.
Presidenti ka qenë kundër ndryshimeve kushtetuese në 2008, që u bënë brenda natës, një turp i madh.
Presidenti ka qenë tërë kohën, në koherencë të plotë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe të rendit kushtetues.
Pyetje: Ju keni paditur Kuvendin në SPAK.?
Presidenti Meta: Ne e kemi paditur në SPAK, në Prokurori, në të gjitha institucionet e hetimit. U takon atyre të japin një përgjigje të shpejtë, në rast se janë vërtet të lira dhe të pakapura nga askush.
Pyetje: Po nëse Gjykata Kushtetuese brenda 30 ditëve merr vendimin për shkarkimin tuaj, si do të procedohet?
Presidenti Meta: Nuk kam asnjë shqetësim të tillë sepse nuk ka asnjë çështje, që të më shqetësojë për një vendim të tillë, përkundrazi.
Unë jam shumë i qetë dhe vazhdoj punën time, deri në 24 Korrik!
Pyetje: Realisht kush nuk e do Presidentin e Republikës?
Presidenti Meta: Presidenti e Republikës nuk e duan dhunuesit e popullit shqiptar dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.
Ata që dhunojnë dhe që tallen me banorët e 5 Majit, që i kanë mbrojtur shtëpitë e tyre me aq sakrifica, siç janë tallur me banorët e Astirit, të Unazës dhe me të drejtat e pronave të shqiptarëve kudo në mbarë vendin.
Sepse ngjarje të tilla kemi në Jug, sa të duash, keni në Vlorë pa fund, në Radhimë e kudo gjetkë.
Por Presidentin nuk e duan edhe ata, të cilët duan të dhunojnë sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë dhe që Presidenti nuk i ka lejuar.
Por dhe ata të cilët duan të cënojnë integritetin e shtetit të Kosovës dhe që dikur e bënin këtë gjë përmes ndryshimit të kufijve dhe Presidenti ka qenë kategorisht kundër.
Padyshim, që vazhdojnë, gjoja përmes Ballkanit të hapur, të bëjnë të njëjtën gjë, për të vendosur në presion, në trysni Kosovën, me qëllim dobësimin e saj, deri në pasoja më të rënda.
Pyetje: ‘Jam Ilir Meta, o super budallenj’,….
Presidenti Meta: Po sigurisht!
Pyetje: Është kërcënim i i Presidentit të Republikës për ndërkombëtarët, për Ramën, Bashën? Do dëshpëroheni pafund, keni thënë.
Presidenti Meta: Ata do të dëshpërohen sepse gjithë planifikimi i tyre për të asgjësuar demokracinë në Shqipëri, për të varrosur faktikisht pluralizmin politik, për të frikësuar të gjithë qytetarët shqiptarë dhe për të përzënë nga vendi, gjithë forcat më të reja, forcat më të kualifikuara, të gjithë ata që kërkojnë të drejtat e tyre dhe të jetojnë në një sistem meritokratik. Kjo do të dështojë në mënyrë të padiskutueshme.
Prandaj dhe ata do të dëshpërohen dhe do të përgjigjen për super korrupsionin e tyre.
Shikojeni aferën e inceneratorëve, shikoni koncesionet, shikoni sa ka vajtur 1 kilometër rrugë e re, apo autostradë, është 6 herë më shtrenjtë, se sa në Serbi.
Shikoni ndërkohë pagat se ku kanë ngelur, më të ulëtat në rajon!
Shikoni çmimet se ku kanë vajtur, jo po çmimet janë në të gjithë botën.
Shikoni çmimet sa janë në Maqedoni dhe në Serbi!
Nuk kanë asnjë lidhje.
Kjo ka lidhje vetëm me super korrupsionin, që është zhvilluar këtu. Me përqendrimin e pushtetit në pak duar dhe njëkohësisht, përqendrimin e ekonomisë në shumë pak duar.
Dhe kjo ka sjellë këtë gjendje kaq të rëndë! Shiko sa e përkrahim ne bujqësinë, 30 euro për hektar, 180 euro për hektar e ka Kosova, 6 herë më shumë, mbi 200 e ka Maqedonia.
Pyetje: Po buxhetin e ka 2 herë më të lartë se sa Shqipëria.
Presidenti Meta: Nuk krahasohet, jo 2 herë është shumë herë më lart, nuk diskutohet ajo çështje.
2 miliardë e ca kemi ne eksportet, 7 miliardë e ca euro i ka Maqedonia e Veriut, një vend më i vogël se Shqipëria.
Shko shiko zonat e lira në Maqedoninë e Veriut, industri automotive, gjithçka kanë zhvilluar.
Pse? Sepse i kanë dhënë prioritet zhvillimit të vendit.