Jamarbër Malltezi: Berisha, enciklopedi e lëvizshme

“Berisha është një enciklopedi e lëvizshme dhe është kënaqësi dhe fat të kesh mundësi të flasësh për çdo lloj teme me të. Është krenari, frymëzim dhe trashëgimi e pasur e PD-së”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Koha Jonë” për vjehrrin e tij, drejtuesi i Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit në PD, dhëndrri i ish-kryeministrit. Por gjithsesi, Jamarbër Malltezi, nuk denjon të pohojë edhe faktin se ai ka vendin e tij në PD dhe nuk shihet vetëm si dhëndrri i Berishës. Ndërkaq, lidhur me zhvillimet e fundit politike, duke pranuar gabimet që PD-ja bëri gjatë viteve të saj të pushtetit, thekson se qeverisja e sotme po gabon rëndë ndaj qyetarëve e kësisoj sipas tij, është duke ia shtuar pikët forcës politike të cilës ai tashmë i përket edhe si anëtar i Këshillit Kombëtar. “Qeverisja e sotme po trishton gjithnjë e më shumë njerëz, përfshirë edhe elektorat tradicional të PS-së pasi nuk po respektohet asnjë rregull dhe asnjë kriter, përveçse babëzisë dhe arrogancës së pushtetit nga oligarkia e Ramës. Kjo po rrënon mbështetjen për qeverinë aktuale dhe po rritet shumë shpejt mbështetja për PD-në”, pohon gjithashtu ai …

 

Intervistoi: Viola Thoma

Swiss Digital Desktop Reklama

Z. Malltezi, prej disa muajsh jeni përfshirë zyrtarisht në politikë. Kjo ka qenë dëshira juaj apo ju kanë nxitur më shumë familjarët tuaj?

Swiss Digital Mobile Reklama

Zyrtarisht në politikë jam përfshirë qysh në dhjetor 1990 duke qenë aktiv në lëvizjet studentore dhe aktiv qysh me themelimin e PD-së. Prej më shumë se 20 vitesh kam dhënë dhe do të jap kontributin tim në çdo lloj niveli, pasi PD-ja është një vlerë e madhe e Shqipërisë, është forca që ka ndryshuar faqen e historisë së saj, ka sjellë lirinë, ekonominë e tregut, integrimin evropian, etj. Krenar që mund të kontribuoj për këtë vlerë të madhe.

Si i komentoni qëndrimet dhe komentet që e lidhin ngjitjen tuaj në PD me faktin që jeni dhëndrri i Berishës?

Nuk i komentoj fare, thjesht realizoj punë dhe fakte. Kontributi i Berishës është faktor krenarie dhe frymëzimi besoj për secilin anëtar të PD-së. Unë fokusohem tek argumenti dhe përvoja ime profesionale e akademike, ndërsa kundërshtarët mesa duket mendojnë që do heqin vëmendjen e publikut me fjalë bajate.

Do pranoni të merrni poste drejtuese më të larta në të ardhmen në PD?

Si drejtues i Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit besoj që po kontribuoj PD në fushën ku jam më i përgatitur dhe mendoj që çdo njeri duhet të bëjë ateë që di të bëjë më mirë. Kjo e sjell PD-në edhe më pranë me qytetarët, pra kur sheh që profesionistët po mblidhen pranë PD-së, ndërsa nga ana e qeverisë qëndrojnë “no-name” me diploma falso që po emërohen ministra thjesht për pazare apo për t’i dhënë tenderat vëllait si Veliaj, apo i biri të atit.

Në më shumë se një vit opozitë, si do e vlerësonit lidershipin e ri të Partisë Demokratike?

Ka zgjerim, rizgjim vlerash, bashkim kontributorësh ndër vite. Është një proces që nisi me analizë dhe kritikë në çdo qelizë të PD-së, rifreskim listash dhe krijimin e databazës elektronike të anëtarësisë. Këshilli Kombëtar është rritur në mënyrë domethënëse. Kryesia është zgjeruar dy ose trefish dhe ka një parim pozitiv siç është “një njëri-një mandat” pasi zgjeron përfaqësimin.

A i mungon PD-së mënyra e drejtimit të ish-kryetarit Berisha? Cili mendoni se duhet të jetë roli i tij në të ardhmen?

Berisha për PD-në është shndërruar në simbol të arritjeve të gjithë Shqipërisë, të transformimeve rrënjësore që kjo forcë politike ka sjellë në demokracinë dhe ekonominë e vendit në këto 25 vite. Është krenari, frymëzim dhe trashëgimi e pasur e PD-së dhe rolin e tij në të ardhmen e përcakton vetë ai. Standardi i lartë dhe arritjet e tij shumëvjeçare po e dëshpërojnë qeverisjen e sotme që nuk po mundet të prodhojë dot asnjë vepër madhore siç arriti Berisha.

Si një pjesëmarrës në strukturat e PD-së, i njihni gabime qeverisjes 8-vjeçare të së djathtës?

Pa dyshim. Gjatë riorganizimit kemi pasur takime të shumta, ku qytetarët kanë folur haptaz për problemet dhe gabimet.

Cilat mendoni se kanë qenë gabimet që ka bërë qeverisja e djathtë, që penalizuan në 23 qershor?!

Gabimet e administrimit të pushtetit të PD-së janë të ndërthurura me hipermashtrimet elektorale të PS-së. Përshembull, vonesa me procesin e legalizimeve shoqëruar me hapjen e thesit me premtimet e rreme të Ramës mbi legalizimet falas. Në thelb, do thoja ishte një shkëputje e strukturave të PD-së nga qytetari i thjeshtë. Programi i PD-së nuk u detajua tek qytetari i thjeshtë, atij nuk iu treguan qartë mashtrimet elektorale të Ramës. PD-ja nuk arriti t’i sqaronte qytetarit pse nuk ia vlente të shiste votën për një grusht lekësh që sot po ia marrin 20-fish duke iu rritur energjinë elektrike, taksat dhe çmimet.

Ekziston një mendim i përgjithshëm se e djathta nuk mund të jetë fituese pa koalicione të mëdha. Nëse LSI-ja kërkon sërish në një të ardhme përsëri koalicion me PD-në, a e shihni të mundshme një bashkëpunim të tillë?

Qeverisja e sotme po trishton gjithnjë e më shumë njerëz, përfshirë edhe elektorat tradicional të PS-së pasi nuk po respektohet asnjë rregull dhe asnjë kriter, përveçse babëzisë dhe arrogancës së pushtetit nga oligarkia e Ramës. Kjo po rrënon mbështetjen për qeverinë aktuale dhe po rritet shumë shpejt mbështetja për PD-në. Besoj që fitojmë. Kurrë mos thuaj kurrë, pasi nuk i dihet. Por nëse shtrohet pyetja nëse duhet të fitojmë duke u bërë pis me të korruptuar apo vrasës dhe trafikantë, personalisht preferoj opozitën, sesa të jem pjesë e një qeverisjeje që të ndot.

Ndërkohë mazhoranca është duke zbatuar politika të reja, ndoshta të panjohura më përpara në planin e saj të veprimit. Si e konsideroni veprimtarinë e INUK-ut gjatë qeverisjes së majtë?

Trishtim kur sheh që nuk zbatohet ligji, por Maliqi. Për fat të keq nuk po zbatohen parimet e shtetit ligjor, por të shtetit policor, ku ka rëndësi urdhri i eprorit (edhe i çmendur qoftë) dhe nuk ka rëndësi ligji. Ishte çmenduri dhe trishtim të dëgjoje Saimirin të deklaronte se “ligji është një teknikalitet i parëndësishëm”. Por qytetarët po i çojnë çështjet e tyre në gjykatë dhe po fitojnë miliona euro nga këto veprime të paligjshme të qeverisë, të cilat do i paguajmë ne si taksapagues.

Socialisti i thjeshtë sheh sesi Gysi i Ramës me makinë 120.000 euro pa targa urdhëron policinë të godasë ata që ka qejf Gysi, kur ky duhej të ishte arrestuar dhe nën hetim për veprimtaritë e tij nga makinat pa targa tek makinat me targa trafikantësh, apo makina me targa false. Nga ana tjetër, sheh sesi lartësohet paligjshmëria e Koços që dhunon 5 ligje dhe 2 plane urbane. Pse do durojë socialisti i thjeshtë të mbajë në kurriz zullumet e Koços, të Sadriut, të Gjushit, etj?

Ju keni deklaruar se janë dhunuar ligje dhe plane urbane gjatë ndërtimeve në pjesën jugore të Shqipërisë. A nuk mendoni se një ndërhyrje e tillë edhe pse e ashpër ishte e nevojshme në disa zona të vendit?

Prishje të ndërtimeve të paligjshme ka pasur gjithnjë e në vijimësi për çdo vit. Tani po shkelen ligje dhe po përdoret ligji në dorë të Maliqit dhe këtë nuk e honeps dot. Së pari, shteti nuk mund të veprojë si bandë e armatosur! Duhen respektuar procedurat ligjore, përndryshe dhunohet Kushtetuta dhe të drejtat e njeriut dhe kjo është shumë e rëndë, pasi kjo ndan shtetin ligjor ku ecet bazuar në ligj, nga shteti policor ku ecet mbi bazën e urdhrit të eprorit, paçka se eprori mund të jetë i çmendur apo i korruptuar. Së dyti, kush po e zbaton ligjin? Sekserët e Ramës po shkojnë për pazare dhe kush paguan ryshfet të majmë nuk i prishet dhe kush nuk paguan i prishet. Kjo është zuzari. Nuk dëmton aq shumë mjedisin një shtesë dyqani në një rrugicë të Tiranës, sesa e dëmton ndërtimi i kështjellës së Koços që dhunon 5 ligje dhe 2 plane urbane. Po pse tek gjynahqari vepron dhuna ndërsa tek Koço INUK=SNUK=EUNUK?

Zgjedhjet lokale po afrojnë, a mendoni se rezultati i tyre do të jetë një tregues i punës së kryetarit aktual Basha dhe a do ketë ndikim në drejtimin e koalicionit të djathtë në të ardhme?

Do mund të jenë një tregues i rëndësishëm i përtëritjes së PD-së, por qeveria nuk ka qejf për zgjedhje dhe po e fut procesin në një rrugë pa krye. Është e paqartë me cilën hartë do votohet. Harta e re e qeverisë nuk mund të miratohet nëse qytetari nuk pyetet. Sipas ligjeve në fuqi edhe për ngritjen e fabrikave nevojitet një proces i hapur i dëgjesave të publikut, ku të vlerësohen alternativat dhe nevojiten sqarime të detajuara për çdo pyetje.


Përveç jush a ka ndonjë plan që të futen në hierarkinë drejtuese të PD-së apo në parlament pjestarë të tjerë të familjes tuaj, si fjala vjen Argita apo vajza juaj Dasara, e cila për hir të vërtetës është një yll në ngjitje?

Nuk e di. PD-ja është shtëpia e lirisë dhe e hapur për të garuar edhe për ju. Por ndërkohë, ime shoqe ndjek karrierën akademike, ndërsa vajza po ndjek studimet universitare.

 

A ju vjen sadopak keq që Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi nuk arritën të futeshin në Kryesinë e re të PD-së?

Znj. Topalli dhe z. Patozi janë vlera me kontribute shumë domethënëse në PD. Mora vesh që kishin dhënë dorëheqje, por nëse do dëshironin të ishin pjesë e Kryesisë, natyrisht që e meritojnë dhe do ishin. Por edhe Berisha zgjodhi të mos ishte pjesë e Kryesisë. Nuk mendoj se janë anashkaluar as Berisha dhe as znj. Topalli dhe z. Patozi.

 

Në zgjedhjet lokale të këtij viti sa bashki mendoni se fitonim apo nuk keni vendosur të merrni pjesë?

Besoj që fitojmë bindshëm pasi PD-ja kurrë nuk e ka gënjyer elektoratin me premtime të rreme. Shohim përditë sesi qytetarët trishtohen me çmimet e rritura, me energjinë që duhet paguar më shtrenjtë ndonëse tani mungon rëndom (ishte harruar ikja e energjisë në vitet 2008-1013), me krizën tek dera sepse janë zbuar investitorët e huaj, pasi vjet janë rritur me 50% taksat e ndërmarrjeve dhe sivjet me 50% edhe të ardhurat individuale dhe papunësia është në shifra të papara. Bllokimi i gjithë lejeve zhvillimore përveçse atyre që ka qejf z. Rama po përkeqëson edhe më tej papunësinë dhe varfërinë. Ndofta z. Rama është i ndërgjegjshëm për gjithë sa më sipër, prandaj kërkon të manipulojë në tavolinë përmes deformimeve të hartës elektorale, gjë e cila mund ta fusë vendin në një rrugë pa krye.

 

Në PD, kur hyni në selinë e saj, të shikojnë si Jamarbër, apo me frikë si dhëndri i Berishës?

PD-ja është shtëpia e lirisë dhe njihemi me miqtë qysh prej 25 vitesh. Berisha ka kontribute të jashtëzakonshme në vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe ka realizuar gjëra gjigande që nuk i realizon dot më askush. Ai ngjall krenari dhe respekt, por jo frikë. Frikë ndoshta kanë ato forca politike ku kryetari u hap kokës me tavëll cigaresh vartësve të tij.

 

Meqënëse jemi tek Berisha; thuhet se ai ka një pirg të madh me dosje dhe CD, DVD, USB ku janë të përgjuar disa politikanë . I seleksionon vetë gjithë këto dosje, apo e ndihmoni edhe ju?

Berisha është kthyer në një institucion super të respektuar në Shqipëri, sepse nuk pranoi kurrë të bënte premtime të rreme për të fituar zgjedhjet. Kjo keqqeverisje po e lartëson edhe shumë herë më tepër figurën e tij. Mijëra qytetarë, përfshirsuper socialiste të zhgënjyer i dërgojnë mesazhe dhe shqetësime të keqqeverisjes së sotme me sms, ëhats up dhe facebook.

 

Me vjehrrin tuaj Sali Berisha flisni vetëm për punët e përditshme apo ju udhëzon për politikën, e sidomos atë në PD?

Berisha është një enciklopedi e lëvizshme dhe është kënaqësi dhe fat të kesh mundësi të flasësh për çdo lloj teme me të.

 

Ju jeni i pasur, i varfër apo edhe pak i pasur?

Varet si e përcakton pasurinë dhe me çfarë e krahason. Jam i pasur se falë Zotit gëzoj shëndet të plotë dhe kam një familje të hajrit dhe 4 fëmijë, të cilët uroj të rriten të hajrit dhe kjo do jetë pasuria ime më e madhe. Jam i pasur në njohuri dhe në miq, e i ndërgjegjshëm që këto nuk janë kurrë mjaft. Ndihem mirë me mirëqenien personale dhe i jam mirënjohës Zotit që më ka mundësuar të punoj gjithnjë me ndërshmëri dhe kam pasur rezultate.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?