Janë ”armiq”, por PS merr vota nga PD në Kuvend

Nga: Redjon Shtylla

Në qëndrimet politike janë ”armiq”, madje bëjnë thirrje për arrestime dhe dalin në protesta, por kur është fjala për të votuar ligje, PD jep vota pro qeverisë.

Në seancën e kësaj të enjteje, socialistët arritën të gjenin vota opozitare jo vetëm në zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë, por edhe në miratimin e paketës të rezistencës sociale. Fletët e votimit tregojnë qartë se demokratët janë të përçarë, dhe ka rrjedhje votash të vazhdueshme në favor të mazhorancës.

Deputetët e PD-së morën një sms në telefon, me të cilën kërkohej të mos votonin asnjë nga kandidaturat për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nën argumentin se në fletën e votimit nuk ishte futur asnjë kandidat i mbështetur nga opozita. Madje dje edhe disa deputetë, si edhe nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku foli në Kuvend për këtë gjë, por fjalët i mori era.

Mesazhi u harrua kur deputetëve u kërkua që të votonin për ish-deputetin socialist Anastas Angjeli, për të qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ai gëzon mbështetje masive, pasi mori 92 vota pro. Që në nisje të këtj legjislacioni parlamentar, Lindita Nikolla u zgjodh kryeparlamentare me 79 vota, dy më shumë sesa kanë zyrtarisht socialistët e socialdemokatët në sallë.

Por ajo që është edhe më shumë e çuditshme, është mosvotimi i raporteve të Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Qëndrimet e Jorida Tabakut morën vetëm 27 vota pro nga 59 mandate që ka PD-ja në Kuvend.

Nëse një opozitë është në Kuvend, është për të luftuar për ato që thotë ditë e natë, dhe jo kur vjen puna te kartonat në Kuvend, të nxjerrin menjëherë jeshilët pro qeverisë.

Nëse janë aty, janë për të mbrojtur qytetarët nga keqqeverisja, siç kanë vite që demokratët e propagandojnë. Ndaj dhe PD-ja është në opozitë dhe PS-ja është në mandatin e tretë qeverisës, se kostumet nuk i ndërrojnë në bazë të interesave.

SHKARKO APP