Javën tjetër vendoset për mandatin e Leskajt dhe Sulit në Kushtetuese
Seanca e sotme plenare përveç debateve midis maxhorancës dhe opozitës, duket se ka arritur në një konsensus, në atë që përbën një ndër kushtet e PD-së, ndaj dy deputetëve socialiste. Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, gjatë fjalës i kërkoi sot Kuvendit që të votojë dërgimin e kërkesës së saj për shqyrtimin e mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese. Ajo prezantoi se në fakt ka kërkuar që të dërgohet që më herët mandati i saj por opozita nuk kishte reaguar dhe kuvendi ishte në gjumë.
Pas kërkesës së saj, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, tha se të hënën e ardhshme në Këshillin e Mandateve dhe në seancën e radhës do të shprehet me votë.
Ndërsa vetë deputeti Rakip Suli që para nisjes së seancës së sotme prezantoi kërkesën dërguar kryetarit të parlamentit, z.Meta në të cilën u shprehte se kërkonte nga maxhornca të votohej për tu dërguar mandatin e tij në gjykatën kushtetuese. “Kam kërkuar të shkoj në Gjykatë Kushtetuese pavarësisht se ata e kanë të drejtë, por ata nuk duan të çojnë. Kuvendi e rrëzoi kërkesën por nuk pengon opozitën që ta çojë. Është shkak për të penguar reformën në drejtësi. Kam vendosur ti kërkoj deputetëve të maxhorancës të votojnë për të shkuar në gjykatën Kushtetuese, që kryetari i SHQUP të mos ketë më pretendime”, ka theksuar Suli në prononcimim për mediat para nisjes së seancës.
Debatet në lidhje me mandatet e deputetëve Leskaj dhe Suli
“E kam bërë në mënyrë verbale dhe në mënyrë zyrtare. Kam insistuar që kërkesa ime të miratohet sot në parlament. Besoj që Këshilli i Mandateve dhe rregullores mund të mblidhet edhe sot, në mënyrë që kërkesa që unë kam dorëzuar me shkrim të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Kërkoj që sot të votohet kërkesa për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese”, tha Leskaj.
Edi Paloka si kryetar i grupit parlamentar u shpreh se maxhoranca këtë herë tregoi se di të jetë dhe bashkëpunuese duke e mirëkuptuar kushtin tonë dhe në fakt të vërtetën për dërgimin e mandateve në gjykatën kushtetuese. “Maxhoranca ka vendosur të tërhiqet nga shkelja e Kushtetutës dhe të zbatojë vendimet, sikundër është ajo që ne kërkojmë prej kohësh, pavarësisht se ky Parlament dhe në këtë moment, derisa të bëhet votimi i këtyre akteve vazhdon të jetë në krizë kushtetues. Për këtë arsye unë ju kërkoj që meqë kemi mirëkuptimin e maxhorancës, të futet në rend të ditës dhe të votohen sot të dyja kërkesat dhe të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është kërkesa ime procedurale”, tha Paloka.
Nuk mungoi dhe replika e deputetit Eduart Halimi, në të cilën theksoi se PD-ja e ka ngritur këtë çështje që në fillim të marsit, por është rrëzuar me votë nga maxhoranca. Më tej Halimi është shprehur se kuvendi nuk është gjykatë por kuvendi duhet të dërgojë mandatet në gjykatë dhe është ajo e cila do të vendosë fatin e dy deputetëve. “Çështja e mandateve të deputetëve që akuzohen se kanë përfituar fonde publike nuk është e re. Në komisionin e mandateve, maxhoranca e rrëzoi kërkesën për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese. Që në 3 mars, ne e kemi ngritur këtë shqetësim dhe ju e rrëzuat. Keni shkelur Kushtetutën. Mos vini këtu të bëni viktimën. Viktimë janë qytetarët, sepse paratë e qytetarëve janë ato. Nuk po ndëshkohet njeri. Ne pretendojmë se ju keni shkelur Kushtetutën duke përfituar nga paratë e qytetarëve”, tha Halimi.
Redjon Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

