Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, dy emra që duhen votuar nga e djathta
Nga Albert Vataj
Në një kohë kur politika rrëshqet drejt militantizmit dhe marketingut, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti mbeten dëshmi se integriteti personal dhe mendimi i pavarur nuk janë të huaj për skenën politike shqiptare. Ata nuk hyjnë në fushatë për të ngritur flamuj partie, por për të rikthyer besimin e qytetarit te politika dhe zgjidhjet përmes zgjedhjes së përfaqësuesve me integritet.
Në një realitet politik ku shpesh dominon kalkulimi elektoral dhe retorika e zbrazët, praninë e individëve si Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti në betejë të hapur (lista të hapura), duhet ta lexojmë si një shans për qytetarin, jo thjesht për partinë që i ka propozuar, por si sprovë e vlerave individuale në ballafaqimin me elektoratin.
Integriteti i tyre intelektual dhe qytetar, përtej vijës partiake, i veçon si zëra që nuk vijnë për të prodhuar përçarje dhe zhurmuar në retorika, por për të ndërtuar besim, një prej burimeve më të rralla në jetën politike shqiptare.
Prania e Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit si kandidatë të PD-së, por që janë lënë te listat e hapura, është dëshmi se përfaqësimi ende mund të mbështetet mbi integritetin personal. Ata nuk janë vetëm pjesë e një partie, por shprehje e një fryme që i jep kuptim përfaqësimit politik si akt qytetar dhe moral.
Jorida Tabaku ka ndërtuar profilin e saj politik mbi përmbajtjen dhe qëndrueshmërinë. Në një ambient ku shpesh tingulli i fortë zë vendin e argumentit, ajo është përpjekur të kultivojë një kulturë politike të informuar dhe etike. “Nuk dua të jem pjesë e politikës për të qenë pjesë e një partie, por për të përfaqësuar një mendësi që i shërben publikut”, është një nga deklaratat që përkufizon raportin e saj me pushtetin, jo për të sunduar, por për të shërbyer.
Ilir Alimehmeti përfaqëson një profil tjetër, po aq të domosdoshëm, zërin e dijes, të mendimit kritik dhe të etikës publike. Në vend që të shndërrohej në një ekspert të palës, ai u bë përfaqësues i arsyes dhe shëndetit të shoqërisë, edhe në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës. “Unë nuk dua të jem pjesë e një zhurme politike që s’prodhon asgjë, por dua të sjell qetësinë dhe kthjelltësinë e një përgjegjësie që nuk ndalet te fjala”, është një nga qëndrimet që i jep kuptim vendimit të tij për të hyrë në politikë.
Në një nga reflektimet më të qarta mbi përfaqësimin, filozofi francez Raymond Aron shkruante, “demokracia nuk është zgjedhja e më të shumtëve, por mundësia për të përfaqësuar më të mirët.” Në këtë kontekst, vota për Tabakun dhe Alimehmetin është një akt emancipimi, një zgjedhje e ndërgjegjshme për të vlerësuar cilësinë dhe jo thjesht bindjen, për të ndarë përfaqësimin nga militantizmi i verbër.
Ndërsa Vaclav Havel, presidenti disident dhe një nga figurat më të ndritura të demokracisë postkomuniste, na kujtonte se: “Politika nuk mund të jetë vetëm art i mundësisë, ajo duhet të jetë edhe art i të ndershmes.” Kjo është arsyeja pse këta dy kandidatë nuk janë thjesht një alternativë brenda një liste që i lë jashtë komoditetyit të garancisë partiake. Ata janë prova e mundshme se qytetari shqiptar, ai që mëndon, arsyeton dhe vepron jo nën presionin e ndikimit të polariteti politik, por është i aftë të njohë dhe vlerësojë ndershmërinë, edhe kur ajo nuk promovohet përmes zhurmës dhe polemikave.
Nëse politika shqiptare do të rifitojë besimin e qytetarëve, ajo duhet të ndalet mbi figura që nuk kërkojnë pushtetin për ta përdorur, por për ta orientuar në dobi të të gjithëve pavarësisht orientimit partiak dhe pikëpamjeve të tyre. Prandaj vota për Tabakun dhe Alimehmetin është më shumë se një përzgjedhje elektorale, është një dëshmi e vetëdijes sonë qytetare, është ajo erë e re ku duhet ta integrojmë perspektivën politike, për në të sotme ballafaquese vlerash dhe një të ardhme progresi.
Siç shkruante John Stuart Mill, një nga etërit e liberalizmit klasik: “Vlera e një shteti është e barabartë me vlerën e individëve që e përbëjnë.” Në këtë frymë, përkrahja për këta dy politikanë është mënyra jonë për të treguar se jemi gati të rikthejmë politikën te vlerat dhe jo te makineria e votave.
Ndaj Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti duhen votuar nga elektorati i djathtë si dy figura të së ardhmes së PD, por jo vetëm. Edhe njerëz të tolerancës dhe kulturës së re.
KOHA JONË SONDAZH

