Jorida Tabaku: Koha për një shpërndarje të mirë të parasë publike dhe luftë ndaj korrupsionit

Në një postim në rrjetet sociale deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur se bujqësia shqiptare ka një rritje zero dhe bujqit sot vuajnë krizën e një vizioni ekonomik të cunguar të socialistëve.

Tabaku në videon e publikuar prej saj tregon se bujqësia është në këtë gjendje si pasojë e këtyre politikave dhe një sistemi që takson punën dhe nuk e mbështet atë, ndërkohë që merret me tenderime dhe koncesione që nuk i japin jetë dhe zhvillim ekonomisë.

“Jemi në muajt e bujqësisë kur në fakt tani është koha për të korrur atë që është mbjellë. Po çfarë është duke korrur bujqësia shqiptare? Po korr eksporte zero. Një rritje ekonomike 0 %, e pandryshuar në tre vitet e fundit, mungesën e fondeve të IPARD. Dhe reflekton një sistem (të korruptuar) që ekziston në çdo sektor.

Ajo që ndodhi me fondet e IPARD është pasqyra më e mirë e qeverisjes socialiste; korrupsion me fonde që në këtë rast janë dhe të BE, korrupsioni në tenderime, në koncesione. Në ndarjen e të mirës publike. të parasë publike. pastrimi i parave, favoritizmi, përqëndrimi në pak duar që është duke reflektuar në një rritje 0 në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë”, shprehet Tabaku.

“Të një sektori që sot duhet të kapte qiejt dhe duhet të kishte prodhuar një rritje si pasojë e rritjes së turistëve në vend. Por korrupsioni është duke e penguar këtë sektor që të zhvillohet dhe është duke penguar njerëzit e punës që derdhin djersën në fushë të kenë një shpërblim, të kenë të ardhura shtesë në xhepin e tyre. Ky është shembulli më i mirë dhe reflektimi më i mirë se si jo vetëm politikat e gabuara; se si jo vetëm mbështetja e munguar por edhe korrupsioni e pengon një sektor kyç të zhvillohet. Tashmë është koha ta ndryshojmë këtë sistem. Ka ardhur koha që të kemi jo vetëm një shpërndarje të mirë të parasë publike por të kemi një luftë ndaj korrupsionit e cila që nuk e lejon të zhvillojë rritjen në sektorë kyç të ekonomisë” përfundon Tabaku.

 

SHKARKO APP