Jorida Tabaku: Krimi i organizuar përfiton prokurime publike falë lidhjes me qeverinë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka shpërndarë në profilin e saj në facebook raportin e fundit të Global Initiative Netëork mbi indeksin e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.

Tabaku shkruan se ky raport është një dëshmi që tregon se ka një rritje të krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit në vend.

Reagimi i plotë

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet strategjik së pari për vendin dhe më tej për integrimin Europian të Shqipërisë.

Nuk mund të kemi një qeverisje në shërbim të qytetarëve nëse lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është efektive.

Fatkeqësisht raporti i fundit i Global Initiative Netëork mbi indeksin e krimit dhe korrupsionit tregon rënie të Shqipërisë dhe kapje të shtetit nga krimi organizuar.

Jemi vendi i parë në Europë për prodhimin dhe tregtimin e cannabis gjithashtu jemi kthyer në rruga kyçe e kalimit edhe për kokainën dhe drogërat e tjera.

Jemi të dytët në rajon në lidhje me mafian dhe krimin e organizuar duke u përkeqësuar me vitet e mëparshme.

Aq i ngushtë është lidhja mes mafias dhe qeverisë saqë aktorë të fuqishëm pranë krimit të organizuar përfitojnë prokurime publike madje kanë dhe të deleguarit e tyre në politikë dhe parlament.

Mafia dhe krimi organizuar janë aq të fortë sa që mund të pastrojnë paratë në ekonominë tonë. Sipas raportit 1/3 e ekonomisë sonë është informale.

Kjo nuk është rruga se si një qeveri që aspiron për t’u integruar në BE dhe për të nisur Konferencën e Parë Ndërqeveritare mund të prezantohet në samitin për zgjerimin e BE.

SHKARKO APP