Jorida Tabaku lexon në Kuvend raportin e komisionit për inceneratorët: Vërtetuam vjedhjen e 430 mln eurove!

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka lexuar në Parlament, raportin e opozitës të dalë nga Komisioni Hetimor për inceneratorët.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku theksoi se kompanitë koncensionare, siç rezultojnë nga dokumentet zyrtare, nuk kanë pasur kapacitetet financiare për ndërtimin e tre landfilleve dhe inceneratorëve.

Më tej, Tabaku tha se komisioni hetimor vërtetoi vjedhjen e 430 milionë eurove.

“Një provë e pakontestueshme e një angazhimi seroz që ne si opozitë kemi ndaj kauzave, çështjeve dhe se nuk trembemi as kur kërcënohemi apo sulmohemi publikisht nga qeveria dhe padyshim tentakulat e saj në media. Që nga tetori 2021 në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë janë zhvilluar mbi 20 seanca mbledhjesh përfshirë edhe seancat dëgjimore të 41 dëshmitarëve për t’i ofruar shqiptarëve një panoramë të qartë se si kjo mazhorancë dhe qeveria Rama ka operuar me paratë e buxhetit të shtetit nga viti 2014 e në vijim. Sot, në një raport të plotë të shkruar nga ekspertë ligjorë, të ekonomisë, të mjedisit dhe të fushës së energjisë elektrike të gjatë 120 faqe drejtuar SPAK e mbi të gjitha qytetarëve të këtij vendi do të mund të shohim se si është zbatuar një aferë financiare korruptive në kurriz të shqiptarëve me taksat e tyre që pasurojnë 3 individë me lidhje të ngushta në qeveri.

Kjo është me pak fjalë historia që ndodh thuajse në çdo koncesion/PPP korruptive, të panjohur që me duar në xhepa vijnë për të marrë 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve. Thjesht, kësaj radhe opozita mundi ta faktojë edhe nga dëshmitë e nëpunësve civilë, qytetarëve të thjeshtë, sipërmarrësve por edhe nga padija e rigjetur e ish ministrave, sekretarit organizativ të PS, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë e kështu me radhë. Mbi 60 orë dëgjesa publike, me qindra dokumente janë një pasuri e madhe jo vetëm për prokurorët e SPAK por edhe për këdo që dëshiron të kuptojë sadopak përfshirjen e Këshillit të Ministrave në një aferë që e bënë shkel e shko sepse menduan, siç edhe mendojnë, se nuk do t’i kapë drejtësia. Se janë të paprekshëm! Të pamposhtur!”, tha ndër të tjera Tabaku.

SHKARKO APP