Jorida Tabaku: SPAK të caktojë një Prokuror Special për të hetuar krimin zgjedhor!
Nga Jorida Tabaku, deputete e PD-së
Së pari, ne ndodhemi dy muaj nga dita e zgjedhjeve vendore. E për të mos përsëritur zgjedhjet e njollosura nga problematika e ndërhyrjes brutale politike sa në menaxhimin e procesit ashtu dhe në përfshirjen e elementëve jashtë politikë në të, si blerja e votave dhe përfshirjen e krimit të organizuar, ne duhet të tregojmë vullnetin politik jo në letër, jo me fjalë po me veprime konkrete. Prandaj, shfrytëzoj mundësinë e dhënë sot për t’i kërkuar drejtuesit të SPAK, z. Dumani, përcaktimin e një Prokurori Special që do të mund të hetojë krimet zgjedhore dhe ato ndërlidhje që njollosën raportet e BE për vendin tonë. Së dyti, në raportet e Komisionit Europian, ka qenë një problem gjithnjë e më i artikuluar çështja e emigracionit masiv dhe azilkërkuesve që prekin tokën e vendeve anëtare. Fatkeqësisht, hemorragjia sociale i ka bërë dëm Shqipërisë dhe nëse së paku kjo problematikë do të përballej me seriozitet do të mund të kishim një alternativë përtej mohimit kronik. Kjo është sfida e ekonomisë dhe politikës shqiptare. Së treti, një nga problemet e rëndësishme që i shtyn shqiptarët drejt largimit masiv është Korrupsioni. Nga pozicioni i Këshillit të Integrimit por edhe nga ajo e deputetes në Parlament, kam ngritur shqetësimin se në vendin tonë mungon vullneti politik për të rregulluar problemin akut që mbyll dyert e shpresës. Përkrah nismave ligjore, si paketa anti-korrupsion propozuar nga Partia Demokratike, ne duhet të kemi dhe vullnetin politik për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur interesin publik dhe kushtetutën në rastin e luftës kundër korrupsionit. Kjo luftë duhet të jetë një prioritet kombëtar nga kuvendi.