Jorida Tabaku: Të moshuarit e kanë të pamundur të mbijetojnë
Në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale, deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka adresuar shqetësimet për gjendjen e pensionistëve në Shqipëri dhe ka kritikuar ashpër Qeverinë për dështimin e saj në përmirësimin e kushteve të jetesës për këtë grup vulnerabël të shoqërisë.
Tabaku theksoi se pensionistët janë shtresa më e varfër e popullsisë dhe vuajnë nga politikat e qeverisë që i kanë lënë ata në harresë, duke u përballur me një rritje të shpejtë të kostos së jetesës pa mbështetje të mjaftueshme financiare.
“Më në fund pensionet janë bërë çështje dite nga nevoja që ka qeveria për të justifikuar që nuk i ka rritur pensionet dot, megjithëse shpenzimet vazhdojnë të rriten në të gjitha format. Pensionistët po ndjejnë efektet e reformës së dështuar të vitit 2015. Numri i pensionistëve ka arritur në 30% dhe skema e pensioneve nuk ka qenë efektive. Rënia e forcës së aktive punës ku 40% është larguar e ka vendosur bazamentin e skemës së pensioneve në një pikëpyetje shumë të madhe. Rritja e çmimeve nuk është shoqëruar me rritje pensionesh, por ka pasur një indeksim minimal që e ka bërë të pamundur që të mbijetojnë”.
Përpjekjet e qeverisë për t’u takuar me pensionistët gjatë javës së fundit, Tabaku i cilësoi si “propagandë të zbrazët,” që sipas saj, nuk mbulon realitetin e vështirësive me të cilat përballen të moshuarit. Ajo kritikoi shpenzimet e qeverisë për projekte luksoze dhe kontrata publike-private, ndërsa fondet për pensionet mbeten minimaliste dhe të pamjaftueshme për një jetë me dinjitet.
Sipas deputetes demorkate, qeveria ka zgjedhur që përparësitë e saj të shkojnë në xhepat e një pakice të privilegjuar, duke lënë pensionistët në varfëri. Demokratja përmendi gjithashtu statistika të frikshme për varfërinë ekstreme, duke theksuar se 22% e pensionistëve shqiptarë janë në rrezik të skajshëm varfërie—një tregues i qartë, sipas saj, i dështimit të reformës së vitit 2015 për pensionet.
Tabaku bëri thirrje për një reformë të vërtetë të sistemit të pensioneve, që të vendosë interesat e qytetarëve në plan të parë, të ndalojë korrupsionin dhe të krijojë një sistem të qëndrueshëm e të drejtë. Ajo përfundoi mesazhin e saj duke theksuar se pensionistët meritojnë më shumë se sa fjalë të bukura dhe premtime boshe—ata meritojnë një jetë të denjë dhe respekt për kontributin e tyre të çmuar në ndërtimin e vendit.