Jozefina Topalli: Rama e çoi Valdrinin në Shkodër, por mandatin për Kryetar ia dhe ti Lul

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli është përfshirë në debatin më të fundit politik, atë lidhur me skandalin e kandidatit të Edi Ramës për kryetar të Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri, i cili rezulton të ketë fshehur të dhëna nga e shkuara e tij në formularin e dekriminalizimit, pasi ai sipas PD-së rezulton person me precedentë penalë në Itali.

Reagimi i plotë i Topallit

Çdo fjalë ka konseguenca. Çdo heshtje po ashtu.” Jean – Paul Sartre! Koha vetëm po konfirmon atë që unë besoj dhe kam përsëritur vazhdimisht, se Edi Rama dhe Lulzim Basha mbajnë reciprokisht njëri-tjetrin, dhe ndajnë interesa të mëdha mes tyre. Edi Rama e çoi Valdrinin në Shkodër, por mandatin për Kryetar Bashkie të Shkodrës ia dhe ti Lul, me bojkotin e zgjedhjeve.

Po të kishte një kandidat të djathtë, Valdrini as në ëndërr nuk shihte karrigen e Kryetarit të Bashkisë. Për më tepër, je tepër i vonuar në luftën kundër krimit. Në Shkodër, qytetarët prej disa muajsh, tregojnë për dyshimet e thella të së kaluarës të komprometuar të Valdrinit.

Por ti për muaj nuk fole. Ashtu siç nuk fole për vite për Mark Frrokun e kompaninë e tij. Ti Lul nuk mbulon dot shpartallimin që i bëre PD-së me vendimet tuaja personale anti-demokratike, që i more vetëm për të mbrojtur karrigen tënde. Po të mos ishte Lulzim Basha, sot Shkodra e shumë bashki të tjera nuk do binin në duart e PS-së. Po të mos ishte LB (Lulzim Basha), Edi Rama nuk do të ishte sot Kryeministër, por do ishte rrëzuar 100 herë dhe vendi do kishte një tjetër qeverisje;

Po te mos ishte LB, Edi Rama nuk do kontrollonte të gjithë pushtetin vendor; lista e deputetëve nuk do ishte ajo lista qesharake e 2017. Nuk do kishim parë të zëvendësohen beteja politike me luftë vezësh pulash dhe sot nuk do shikonim të uleshin në karrigen e Kuvendit figura komike dhe të padenja për atë që duhej të ishte altari i demokracisë. Po të mos ishte Lulzimi, deputetët e PD-së mund të ishin dinjitozë, do ishin në parlament duke përfaqësuar votuesit e tyre e duke mbrojtur interesin publik të shqiptarëve, duke bërë beteja politike për një ekonomi më të mirë dhe një jetë më të sigurtë.

Po të mos ishte pazari si formë komunikimi mes krerëve të opozitës dhe qeverisë, sot skena politike shqiptare nuk do ishte e deformuar siç është tani, sot shqiptarët nuk do jetonin në dëshpërim për shkak të vrasjes së perspektivës dhe mbytjes së shpresës që një opozitë normale sjell për vendin e saj.

Pas 3 dekadash ngjitjesh e uljesh, përpjekjesh e sakrificash , demokracia brenda forcave politike  është në agoni. Dhe kjo, sepse krerët e partive kanë vrarë votën brenda vetes. Në 6 vitet që drejton opozitën LB, jo vetëm ka habitur me humbjet e tij të pandalshme e katastrofike, por ai ka vrarë votën brenda saj, ka vjedhur votat në shtepinë e tij (dhe kjo me video, me zë e figurë). Është i vetmi kryetar partie që pas numërimit të votave për forumet e partisë i dalin më shumë vota se votues (me dokumenta). Ai do mbahet mend si njeriu që nuk mblodhi për 4 vite rresht asnjë forum të saj për asnjë vendimmarrje. Do mbahet mend për emërimet më pas në forume të disa personave që nuk thonë asgjë për askënd.

Do fillojë të mbledhë forumet vetëm pas fshesës e spastrimeve të  mëdha në parti, pas gjuetisë së shtrigave ndaj demokratëve, pas përçarjes e  shkretimit që i bëri PD-së, për të noterizuar vendimet e tij të Çmendura, si ajo e djegies së mandateve dhe të mos hyrjes në zgjedhje. Me gjithë pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë, LB nuk i shkoi kush pas, sepse siç koha e ka vërtetuar, ai është i rremë.

Kauzat nga goja e tij janë fallso e të rreme. Jo sepse  njerëzit e Edi Ramës nuk kanë blerë vota. Kanë blerë sa kane dashur, sepse e dinin që LB-së kjo nuk i interesonte sa kohë ishte në qeveri dhe kishte bërë pazarin për bashkëqeverisje me Ramën në vazhdim.

Ishte kjo arsyeja, që Lulzimi urdhëroi anëtarët e PD-së në KQZ, që të votonin 7:0 rezultatin e zgjedhjeve të 2017; urdhëroi që të mos bëhej asnjë shënim kundërshtues në procesverbale dhe të mos ankimohej asnjë qendër votimi, duke legjitimuar mandatin e dytë të Ramës. Dhe për 2 vite rresht nuk pat asnjë fjalë për çështjen.

U kujtua vetëm kur erdhi koha e fushatës, kur me shpresën e presionit të djegies së mandateve, kërkonte rezultatin ne tavolinë (njëlloj si me Çadrën).

Kur ai thoshte se vota e zgjedhjet i lira janë qëllimi ynë, gënjente. Gënjente, sepse së pari ai nuk ka bërë kurrë zgjedhje të lira në partinë që ai drejtoi. Gënjen, sepse ka fallsifikuar votat për veten e tij si kryetar, dhe ka fallsifikuar listën finale të emrave të KK dhe Kryesisë.

Do mbahet mend për papërgjegjësinë e frikshme që ka tregu, sidomos në opozitë; Ky të le pa fjalë në mënyrë konstante. Djegia e mandateve nga LB ishte një këmbanë e fortë për ata që kanë minimumin e përgjegjësisë mbi rrezikun që sjell papërgjegjësia e një njeriu, që nuk e vret ndërgjegja për asgjë.

Në 1946 i pushkatuan deputetët e opozitës, por mandatet nuk i tradhtuan. Mos futja në zgjedhje ishte një tjetër alarm i madh për rrezikun që mbart me vete njeriu që merr vendime kaq të papërgjegjshme.

Lulzim Basha të lë pa fjalë kur humbjet e 2015-s i quante rritje dhe rimëkëmbje; kur pas humbjes katastrofike të 2017-s nuk lejoi as kohë për analizë dhe me buzë në gaz shpalli vetë-ngrirjen dhe vetë-kurorëzimin (pa garë).

Të habit kur i dhuron Ramës edhe ata pak bashki që i kanë mbetur dhe thotë se fituam me 85%. Të habit me akuzat që i drejton kundërshtarit për gjërat që ka bërë vetë, apo ka ndërmend t’i bëjë vetë.

Nuk i lëviz qerpiku kur thotë se: “Unë bëra dekriminalizimin”, ndërkohë që kur grupi i ish-deputetëve që e filluan këtë betejë dhe u kërcënuan nga krimi, i hodhi, që t’i shqyente krimi, ndërkohë që vetë merrej me katin shtesë tek pallatit të tij dhe si kryatar, për vite rresht nuk përmendi një emër të dyshuar për rekorde kriminale.

Është i vetmi rast në botë, që kur pakënaqësia ndaj qeverisë rritet në kulm, kryetari i opozitës zbret në kulm (13%).

Unë nuk kam lexuar as dëgjuar që të gjendet sot një njeri që nxjerr vetë forcën e tij politike nga sistemi, ia heq karriget e parlamentit, e hedh jashtë çdo bashkie e Këshilli Bashkiak e për vete të vazhdojë të mbajë karrigen e tij. Unë nuk besoj se PD-së i është mpirë nervi politik;

Nuk besoj se demokratët janë të lumtur, dhe aq më pak, që të konformohen me tradhëtinë që i beri njeriu që vetëm i gënjeu.

Nuk besoj se të rinjtë kanë model njeriun që bëri gjithë Perëndimin kundra, që i dha mandatin e dytë Ramës për 14 milionë euro të pallatit të tij, që dogji çdo përfaqësim të PD-së në nivel qendror e lokal me premtimin e rreme për qeveri tranzitore e largimin e Ramës; që duke qene në opozitë e çoi partinë në humnerë, shqiptarët i çoi në dëshpërim dhe të rinjve i dha rrugët e botës.

Luli nuk ekziston më për demokratët. Për Shqipërinë, Luli bashkë me Ramën janë bërë një kosto e patolerueshme. Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur. Ata nuk mund të tolerojnë më, që 4 vetë të mbajnë peng jetën e tyre e të bijve të tyre

SHKARKO APP