”Ju jeni vrasës, jepni dorëheqjen”, protesta e rinisë për Learin nga Ministria te Kryeministria
”Ju jeni vrasës, jepni dorëheqjen”, janë thirrjet e të rinjëve dhe të shoqërisë civile që po protestojnë para Ministrisë së Brendshme dhe më pas me një marshim para Kryeministrisë, për vdekjen e të riut Lear Kurtit në duart e Policisë së Shtetit. “Kupa u mbush”, “policisë po i ngelin në dorë djemtë shqiptarë”, janë disa nga pankartat e tyre.
Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi pas kësaj ngjarje, e cila vjen dy vite pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie. Një prej tyre u shpreh se rasti është i ngjashëm me atë të Klodian Rashës, të riut që humbi jetën ndërsa theu orën policore në dhjetorin e vitit 2020.
”E mbani mend sa frikë kishte Rama në 2020 për tu përballur me revoltën popullore, Nxorri RENEA-n, sepse pushteti i tij i kalbur është bazuar në vrasje. Vrasin çdo ditë, ndaj them poshtë komunizmi. Ju jeni vrasës e këtë e dinë i madh e i vogël, e dini edhe ju. Ne duhet ti themi boll kësaj paçavureje. Të reagojmë për jetët tona”.
Kurse ish-kandidati për kreun e FRPD-së, Artion Bajramaj tha se nëse nuk ka reagim sërish do të dalin në shesh pas dy apo tre muajve duke bërë të njëjtën pyetje.
”Kur dolëm për Klodian Rashën patëm një pyetje, kush e ka radhën? Doli që e kishte Jonada, tani doli që e ka Leari dhe pyetja që kemi është e njëjtë, kush e ka radhën? Po na vrasin ditën, natën, kur të duan dhe kemi vendosur që të nënshtrohemi, po ju vrasin të gjithëve, si mund të rrini në shtëpi. Ndodh thuajse në çdo dy tre muaj në Shqipëri një gjë e tillë. Kush e vrau? Pse u vra?”.