Ish-kryeministri Berisha: S’kam qenë pro për djegien e mandateve
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kurrë nuk ka ndërhyrë në vendimet e Lulzim Bashës sa kohë ai ka qenë kryetar i partisë. Për djegien e mandateve, lideri historik i demokratëve thotë se nuk ka qenë pro.
”A kam ndërhyrë unë në veprimet e Bashës? Kurrë! Në asnjë listë dhe në asnjë organizim të PD-së. Djegie e mandateve kur Gramoz Ruçi ka shkelur në mënyrë flagrante parlamentarizmin me Arta Markun, duke e shumëzuar me zero parlamentin.
Unë e thash se nuk ka parlament më, por kurrë nuk e kam kërkuar në grup djegien e mandateve. Basha e bëri me idenë e polarizimit të shoqërisë dhe kjo do të çonte në rrëzimin e Ramës. Unë i thash se kjo do të çonte në katastrofë dhe se do të kishte shumë probleme me ndërkombëtarët. Unë jam njeri që kam marrëdhënie me ndërkombëtarët.
Nuk pranoj që të shkel parimet universale. Unë kam qenë kundër koalicioneve me Ramën. Mua më kanë ardhur njerëz të Bashës duke më pyetur për koalicionet me Ramën”,-tha në ”Ora News”.