A ka lidhje i vëllai i tij Olsi, me të kërkuarin nga drejtësia? Rama: Pjesë e valles së shpatave të politikës
Gjatë bashkëbisedimit LIVE në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët në lidhje me lajmet se vëllai i tij është i përfshirë në aferat e mashtrimit me Call Center Bursa, së bashku me Amant Josifin, këshilltarin e ministres Olta Xhaçka, tha se akuzat janë të pavërteta.
Lidhur me përmendjen e Olsi Rama, kreu i qeverisë tha se i vëllai është bërë thjesht pjesë e valles së madhe të shpatave të politikës, ndërsa garantoi se nuk ka asnjë lloj baze.
“Përsa i përket futjes në valle të emrit të vëllait tim, edhe pse ai është adult, dhe mbrohet vetë, është pjesë e valles së madhe të shpatave të politikës dhe nuk ka asnjë lloj baze dhe nëse personazhi që po flasim do të kishte mbrojtje shtetërore, ai sot nuk do të ishte në kërkim”.- theksoi kryeministri.