Ka vulën e PD-së, por nuk u regjistrua për zgjedhjet. Alibeaj: Vendim politik, nuk do na pengojnë në rrugën tonë

Pas 33 vitesh nga themelimi, Partia Demokratike nuk po regjistrohet dot në KQZ si subjekt politik. Komisioneri Shtetëror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi nuk ka regjistruar asnjë nga palët e PD në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Sipas Celibashit, të dy palët kanë pasur mungesë në dokumentacionit, ndërkohë që vendimin mund ta ankimojnë në KAS brenda 3 ditësh.

Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar menjëherë dhe thotë se vendimi i Celibashit për mosregjistrimit të PD-së në zgjedhje është akt politik. Ai shkruan se as ky vendim nuk do pengojë grupin që të ecë përpara.

”Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin”,-shkruan Alibeaj.

Postimi i plotë

Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike.

Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD. Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet. Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj. Kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së!

Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj. Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin!

SHKARKO APP