Kadilli pranon humbjen në zgjedhje: Ishte fitore publicitare e Lulit, nuk lëshoi zyrën

Kandidati për kryetar të PD-së që nuk arriti të merrte votat e nevojshme për të qenë në krye të selisë blu, ka pranuar humbjen. Fatbardh Kadilli, thotë se fitorja e djeshme e Lulzim Bashës ishte publicitare, ku dhe hodhi akuza për manipulim dhe shkelje të procesit zgjedhor.

”Jam krenar që në partinë time, jo për interesin tim, ndeza shkëndijën e parë të garës. Më shumë se garë ishte një sfidë. Kjo sfidë tregoi që opozita nuk ishte ekskluziviteti i askujt. Ata që votuan dhe ata që nuk votuan. Nuk jam këtu për të përligjur për të shprehur keqardhje për fitoren publicitare të Lulit. Për atë flasin më mirë ato që keni parë vetë. Patë pabarazi, dhe kohë shumë të shkurtër. Patë një kryetare që nuk lëshoi zyrën, kryetar degësh që nuk mbajtën distancën. Patë demokratë që nuk gjenin emrin në listë dhe fenomene të ndryshme. Të gjitha këto na tregojnë të pazotë ndaj përgjegjësive që morëm. Unë nuk jam Luli, unë e pranoj këtë rezultat dhe vendimin e demokratëve”.

Kadilli tha se nuk i e ka uruar Lulzim Bashën për fitoren pasi gara mes kandidatëve nuk ishte e barabartë. Ai tha se pranon humbjen dhe se urimin do e bënte nëse gara do të ishte e barabartë. ”E kam thënë që në fillim që gara ishte e pabarabartë dhe do urojë një fitues që do të dilte nga një garë e barabartë”.

Nga ana tjetër, ai tha se nuk ka për t’u larguar nga partia dhe se Lulzim Basha e ka gjetur atë në PD dhe do e lejë aty. Kadilli tha se do të qëndrojë në parti pavarësisht se kush është kryetar i sa. ”E kam thënë, unë nuk largohem nga partia pavarësisht si quhet kryetari i partisë dhe as se çfarë raportesh kam unë me të. Lulzim Basha më ka gjetur në PD dhe do më lejë këtu. Jam që në ditën zero në politike në këtë parti, kam kontribuar dhe po kontribuoj në këtë parti dhe nuk kam plan të largohem. Jeta më ka mësuar të duroj dhe të mos dorëzohem kurrë”.

SHKARKO APP