Kadilli prezanton vizionin e tij: Një PD e pastër, e hapur, e bashkuar, fituese
Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli prezantoi të martën platformën e tij për drejtimin e forcës më të madhe të opozitës në vend, e cila do të marrë votëbesimin nga anëtarësia e demokratëve në 13 qershor. Nga selia blu, Kadilli deklaron se platforma e tij ka të bëjë me ngritjen e një partie më të madhe se sa vetë kryetari i saj.
“Një PD e pastër, e hapur, e bashkuar, fituese!
Për një parti më të madhe se kryetari
1-Ndarja e rolit të Kryetarit nga administratori i Partise: Kryetari e udhëheq politikisht partinë për katër vjet. Mandati i kryetarit mbaron automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Ai ose është Kryeministër, ose largohet; 2-Administrimi i Partisë do të drejtohet nga një këshill të urtësh që do të ketë mandat 6 vjeçar. Këshilli regjistron anëtarësinë, strukturat dhe drejton proceset zgjedhore në parti për forumet dhe kandidatët për Bashki dhe Parlament; 3-Parimi “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e çdo kryetari, nga seksioni te Kryetari i partisë. Primaret për kandidatët për Bashki dhe Parlament, të paktën një vit përpara zgjedhjeve; 4-Struktura e partisë ndërtohet mbi bazën e garës elektorale. Çdo ZAZ do të ketë kryetar që zgjidhet me ‘një anëtar, një votë’ dhe që është deputeti i ardhshëm, ose në rast humbje, përfaqësuesi i popullit të atij territori.
Për një PD të Hapur dhe të Bashkuar
5-Struktura e partisë do të jetë elastike. Seksione, jo vetëm territoriale, por edhe mbi baza profesionesh, grupesh interesi dhe profilesh. Veç forumeve vertikale në territor, edhe forume horizontale; 6-Legjitimimi i fraksioneve: Çdo anëtar/e mund të krijojë ‘partinë’ e vet. Nuk të cakton askush kryetar. Merr iniciativën dhe krijo forumin tënd.
Për një PD më të madhe se Vetja
7- Jo më një Forum rinor i plakur, me gjuhë dhe sjellje të plakur, që shërben si dekor aktivitetesh partie dhe qëndron në paradhomën e partisë për t’u infektuar nga sëmundjet e politikës, por një forum që afron rininë, kauzat dhe shqetësimet e saj, aksionin dhe qëllimet e saj në parti. Një forum i epokës digjitale ku çdo i ri apo e re kontribuon me aksionin e vet me agjendën e vet, me idetë dhe nismën e vet; 8-Jo më një forum grash, pasionante të PD që çojnë PD te Gratë. Por, një Lidhje Grash që sjellin shqetësimet, kauzat, interesat, projektet, nismat e grave në PD; 9-Një raport tërësisht i ri me median dhe aksionin qytetar. Shoqëria është shumë më pluraliste se politika. Shoqëria ka prodhuar shumë më tepër vlera se politika. Ky partneritet e bën PD më të madhe se vetja.
Për një PD fituese
10-PD do të ketë kauzat e reja që reflektojnë interesat e kësaj shoqërie plurale, dhe jo kauza ngushtësisht politike, apo vetëm me përfitim politik.
Frymëzuese
PD që shndërrohet në lëvizje popullore, është ajo që frymëzon jo vetëm veten, jo vetëm mbështetësit por gjithë shoqërinë. Një PD që ngrihet mbi tre kolona: Një forcë politike që ka lidhje të shkurtër dhe të pandërprerë me qytetarin, me shqetësimet dhe interesin e qytetarit politik. Zgjimi i individit politik; Një forcë politike partnere e besueshme që nuk zhgënjen. Një forcë politike që ndërton vetëm mbi vlera, partneritetin me qytetarin, me shoqërinë civile, mediat, biznesin dhe partnerët strategjik që mbrojnë sigurinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe orientimin Perëndimor; Një PD që riorganizohet duke garantuar hapësirë për çdo individ politik të shprehi talentin, ambicien, forcën, përfaqësimin dhe idetë politike, që garantojnë zhvillimin e kauzave politike nga çdo kush, zhvillimin e karrierës në mënyrë të papenguar nga burokracia politike.
Një PD e vërtetë
Një PD që manifeston në çdo gjë vlerat që promovon. Një PD që sillet dhe vepron në përputhje absolute me çfarë shpall. Një PD që ka të njëjtin standard si për vete ashtu dhe për kundërshtarët. Një PD që ndahet nga çdo trashëgimi e keqe edhe e vetvetes! Detyra e PD është largimi nga pushteti i Ramës dhe i modelit të qeverisjes dhe politikës ku politika, media, biznesi dhe bota e nëndheshme janë shndërruar në një pushtet abuzues mbi qytetarin.
Ndryshoj PD që të Ndryshoj Shqipërinë
PD që unë do drejtoj do luftojë për rishikimin e funksionimit të republikës sonë: Rishikimi i ndarjes administrative sipas zërit të qytetarëve, sipas parimit të subsidiaritetit dhe sipas modeleve që u diskutuan në mënyrë të pavarur nga agjenda e pushtetit dhe i formatuar në një propozim alternativ nga shoqata e komunave; Rishikimi i Kodit Zgjedhor për të garantuar përfaqësim dhe stabilitet qeverisës; Plotësimi i organeve të drejtësisë për një drejtësi eficiente. Demokracia dhe Liria amerikane që është modeli im, nuk u mbrojt nga politika por u mbrojt nga gjykatat dhe sistemi i drejtësisë; Forcimi i demokracisë direkte – referendumi mjet i vullnetit të popullit; referendumi lokal ushtrimi i demokracisë dhe përfshirjes; Rishikimi i Kushtetutës, ose ribërja e saj për të rivendosur në balancë institucionet e kuvendit, qeverisë dhe Presidentit”, ishte vizioni i kandidatit për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli.