Kajmaku në arrati, çfarë kërkojnë avokatët në gjykatë. Kur merret vendimi
Agim Kajmaku, i cili shkoi në krye të Bashkisë së Vorës nga votimet njëpartiake të 30 qeshorit 2019 vazhdon të jetë ende në kërkim, pasi policia se ka gjetur.
Sot, çështja e Kajmakut është rikthyer edhe një herë në Gjykatën e Tiranës.
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, prokuroria deklaroi se nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me Agim Kajmakun përsa i përket masës së sigurisë. Gjykata më parë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndërsa sot avokatët e Kajmakut kërkuan ndryshim të masës, nga “arrest me burg” në një masë më të butë.
Mirëpo, Gjykata e Tiranës ka vendosur ta shtyjë marrjen e vendimit për ish-kryebashkiakun e emëruar të Vorës, Agim Kajmakun.
Pas një seancë 30-minutëshe me dyer të mbyllura, avokatët e Kajmakut kanë pretenduar se kanë prova të reja dhe për këtë arsye kërkojnë që të ndryshohet masa e sigurisë.
Nga ana tjetër, prokuroria shprehet se nuk ka asnjë provë për të ndryshuar masën e sigurisë të dhënë më parë, atë të “arrestit me burg”.
Pasi ka marrë argumentet nga të dyja palët, gjykata ka vendosur që të shtyjë seancën për në datën 28 janar në orën 11:30.
Biznesmeni i luleve, u emërua nga Rama si kryebashkiak në votimet monopartiake të 30 qershorit, por më pas rezultoi të ishte i dënuar në Greqi.
Pikërisht pas denoncimit nga ana e PD-së, nisën hetimet që çuan edhe në shkarkimin e tij dhe më pas shpalljen në kërkim të Agim Kajmakut.