Kallëzimet e PD në SPAK për incerenatorët, Xhixho: LSI i ka denoncuar zyrtarët që në 2021, por Brava zgjodhi t’i mbronte
Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho thotë se kallëzimet që sot PD po bën në SPAK për zyrtarët e përfshirë në aferën e incerenatorëve, janë bërë që në 2021 nga LSI. Ndaj edhe i quan copy-paste. Po ashtu Xhixho nënvizon se kur LSI i denoncoi këta zyrtarë, Lulzim Basha zgjodhi ti mbronte. ”Faktet janë në SPAK që nga marsi 2021 për Alqi Bllakon, Lefter Kokën, Armando Subashin, Erion Veliajn dhe Engjëll Agaçin. Asnjë fakt të ri nuk solli Komisioni Hetimor për zbardhjen e kësaj mega-afere korruptive, që ka vjedhur dhe do të vijojë të vjedhë taksat e qytetarëve shqiptarë”,-shkruan Xhixho në facebook.
Postimi i plotë
Duke parë Lulzim Bashën që u bën copy-paste kallëzimeve tona, i them mos të lodhet, sepse SPAK i ka përpara këto dokumente që prej 1 viti. Ne, të dy forcat politike, i kemi pasur këto dokumenta për aferën e inceneratorëve, por ndryshe nga LSI-ja, Brava zgjodhi t’i mbronte këta zyrtarë, duke mos folur fare. Faktet janë në SPAK që nga marsi 2021 për Alqi Bllakon, Lefter Kokën, Armando Subashin, Erion Veliajn dhe Engjëll Agaçin. Asnjë fakt të ri nuk solli Komisioni Hetimor për zbardhjen e kësaj mega-afere korruptive, që ka vjedhur dhe do të vijojë të vjedhë taksat e qytetarëve shqiptarë.
Nëse do ta kishte të vërtetë luftën ndaj inceneratorëve, Komisioni do të hetonte kompanitë që kanë kryer evazionin fiskal dhe kanë shkaktuar fryrjen e kostove të punimeve; do të kishte thirrur në komision kompanitë që kanë kryer këtë evazion fiskal, për të zbardhur fakte të reja dhe për ta çuar më tej hetimin.
Nëse do të ishin të sinqertë në denoncimin e këtij grupi të strukturuar kriminal, ata do flisnin qëkur LSI-ja e denoncoi para zgjedhjeve të 25 prillit, duke paralajmëruar me kohë përdorimin e atyre parave për të blerë vullnetin e qytetarëve.
Sot mbetem besimplotë dhe uroj shumë që SPAK të veprojë sa më shpejt me profesionalizëm, integritet dhe paanësi, duke ushtruar forcën e ligjit ndaj cilitdo zyrtar që ka shpërdoruar detyrën dhe ka abuzuar me fondet publike. Është koha që kultura e pandëshkueshmërisë të marrë fund, që askush më të mos guxojë të abuzojë me detyrën apo me taksat e qytetarëve.