Kallëzimi ndaj 9 deputetëve; Vokshi: Rama është i frikësuar
Një protestë e dhunshme ajo e ditës së djeshme te parku i liqenit midis deputetëve të Partisë Demokratike dhe Policisë së Shtetit. Policia nuk është mjaftuar vetëm me shoqërimin e 13 personave, pjesë e shoqërisë civile dhe anëtarë të FRPD-së por gjatë ditës së sotme kjo e fundit ka denoncuar në Prokurorinë e Përgjithshme 9-të deputetët e opozitës.
Ndaj 9 deputetëve: Flamur Noka, Ridvan Bode, Genti Strazimiri, Genc Pollo, Albana Vokshi, Arben Ristani, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Edi Paloka janë ngritur 4 akuza mes tyre dhe organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme.
Ndërkohë që ndaj deputetit Gent Strazimiri është ngritur dhe akuza e armëmbajtjes pa leje. Përmes një njoftimi për shtyp policia saktëson se deputetit i dallohet arma në brez ndërkohë që ky i fundit duhej ta dorëzonte atë më 25 mars 2016. Policia thotë se veprimet e dhunshme të deputetëve të grumbulluar dje para hyrjes së kantierit në ndërtim teksa tentuan dhe çanë me forcë kordonin e Policisë Bashkiake janë të dokumentuara me prova filmike, raport shërbimi dhe dëshmi të tjera.
E pyetur nga “Koha Jonë”, deputetja Albana Vokshi prononcohet se kjo është porosi e Kryeministrit dhe kjo tregon sipas Vokshit se kësaj qeverie i ka ardhur fundi, është në grahmat e fundit. “Porosi direkt e Ramës, për të na bërë ne të heshtim e të frikësojë qytetarët. Kjo s’ka për të ndodhur. Dhuna dëshmon që Rama është i frikësuar dhe qeveria është në grahmat e fundit”, shprehet Vokshi.
R.SH
KOHA JONË SONDAZH

