Kallëzimi për “Xibrakën” nga Bardhi, SPAK nuk gjen prova për Olsi Ramën
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për dosjen “Xibraka”. Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Olsi Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. SPAK thotë se nuk ka asnjë të dhënë që implikon Olsi Ramën.
Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë. Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve.
Olsi Rama është paraqitur dy herë në SPAK si person në dijeni, ndërsa kjo çështje solli përplasje të ashpra mes kryeministrit Rama dhe Gazment Bardhit. Kreu i qeverisë e quajti Bardhin disa herë gënjeshtar, ndërsa tha se SPAK duhet ta ndante këtë çështje, ku ose vëllai i tij duhej të dënohej si trafikant, ose Bardhi duhet të dënohej si shpifës. Vetë Olsi Rama ka depozituar dy padi në SPAK, ku e akuzon Bardhin për kallëzim të rremë.