Policia kallzon penalisht 9 deputetë të PD
Një ditë pas protestës së PD kundër këndit të lojrave tek Parku i Liqenit Artificial, Policia e Tiranës kallëzon penalisht pranë Prokurorit të Përgjithshëm 9 deputetë demokratë.
Ndaj 9 deputetëve: Flamur Noka, Ridvan Bode, Genti Strazimiri, Genc Pollo, Albana Vokshi, Arben Ristani, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Edi Paloka janë ngritur 4 akuza mes tyre dhe organizim dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme.
Ndërkohë që ndaj deputetit Gent Strazimiri është ngritur dhe akuza e armëmbajtjes pa leje. Përmes një njoftimi për shtyp policia saktëson se deputetit i dallohet arma në brez ndërkohë që ky i fundit duhej ta dorëzonte atë më 25 mars 2016 .
Policia thotë se veprimet e dhunshme të deputetëve të grumbulluar dje para hyrjes së kantierit në ndërtim teksa tentuan dhe çanë me forcë kordonin e Policisë Bashkiake janë të dokumentuara me prova filmike, raport shërbimi dhe dëshmi të tjera.
Padia per Strazimirin
“Në vijim të veprimeve të dhunshme të kryera nga deputetët e subjektit politik Partia Demokratike, referuar pamjeve filmike rezulton se deputeti Gent Strazimiri gjatë kohës që ishte në protestë krahas veprimeve të dhunshme ndaj policisë, i dallohej në brez një armë zjarri (pistoletë). Zoti Strazimiri ka qenë i pajisur me armë zjarri në 26.03.2009, kur ka qenë zv/ministër i Brendshëm.
Por në zbatim të Ligjit nr. 74/2014 “Për armët”, duke filluar nga 26.02.2016, lejet dhe aktet e tjera administrative që japin të drejtën mbi armët, humbasin fuqinë juridike. Deputeti Strazimiri, nuk ka kryer asnjë veprim për dorëzimin e armës, megjithëse është njoftuar edhe me një shkresë nga Komisariati nr. 3, Tiranë” thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Policia e Tiranës i ka referuar Prokurorit të Përgjithshëm kallëzim penal për 9 deputetë të subjektit politik Partia Demokratike, konktretisht:
Deputeti Gent Strazimiri paditet për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 262, 150, 235, 274 dhe 278 të Kodit Penal.
– Deputeti Flamur Noka për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Goditje për shkak të detyrës” parashikuar nga nenet 262, 150, 235, 274 dhe 237 të Kodit Penal.
Deputetet Edi Paloka, Ridvan Bode, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Albana Vokshi, Genc Pollo, Arben Ristani, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Prishja e qetësisë publike” parashikuar nga nenet 262, 150, 235 dhe 274 të Kodit penal.
Ndërkohë dje u arrestuan dhe 13 aktivistë demokratë mes tyre Ndriçim Babasi, kreu i PD dega 5 në Tiranë. Nga dhuna e ushtruar nga deputetët dhe protestuesit, u dëmtuan dhe po marrin mjekim në spitalin e Traumës, 3 punonjëse të Policisë Bashkiake.
Çfare ndodhi dje sipas policise
“Në datë 28 mars 2016, në ora 11:00, te Kodrat e Liqenit Artificial, në vendin ku është duke u ndërtuar “Këndi i lojërave” nga Bashkia Tiranë, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një protestë pa leje, për prishjen e rrethimit të objektit të objektit.
Pjesëmarrësit në këtë protestë u grumbulluan para hyrjes së kantierit në ndërtim dhe rreth orës 11:30,deputetët Flamur Noka, Genti Strazimiri, Genc Pollo, Albana Vokshi, Arben Ristani, Asllan Dogjani, Gert Bogdani, Edi Paloka, të shoqëruar nga protestues të tjerë (13 prej tyre të arrestuar ditën e djeshme në flagrancë për veprime të dhunshme), tentuan dhe çanë me forcë kordonin e Policisë Bashkiake, të Policisë së Shtetit me veprime të dhunshme, dokumentuar me prova filmike, raport shërbimi dhe dëshmi të tjera.
Nga dhuna e ushtruar nga deputetët dhe protestuesit, u dëmtuan dhe po marrin mjekim në spitalin e Traumës, 3 punonjëse të Policisë Bashkiake”
KOHA JONË SONDAZH

