Kamerat spiune të bandave, Partia e Lirisë: Krimi ka pasur nën kontroll policinë
Sot Policia e Shtetit çmontoi në qarkun e Fierit plot 20 kamera të bandave kriminele. për këtë nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Floida Kërpaçi, tha në një deklaratë për shtyp se krimi ka pasur nën kontroll policinë e shtetit dhe të gjithë veprimtarinë në terren ndërkohë që këta të fundit ishin fokusuar tek ndëshkimi i qytetarëve të thjeshtë dhe jo goditja e grupeve kriminale.
“Fakti skandaloz i përgjimit me kamera të territorit haptas nga krimi ka marrë dimensione tronditëse. Në dhjetëra bashki të vendit janë evidentuar qindra kamera të pautorizuara dhe në shërbim të grupeve kriminale. Realisht krimi ka pasur nën kontroll të plotë Policinë e Shtetit dhe veprimtarinë saj në terren. Për vite me radhë kjo veprimtari ka vazhduar e pa shqetësuar sepse policia kishte prioritet të përgjonte, monitoronte dhe dhunonte opozitën dhe qytetarët e thjeshtë dhe jo të vepronte ndaj grupeve kriminale”,-tha Kërpaçi.
Nga ana tjetër, ajo tha se policia ishte vënë nën vëzhgim nga grupet kriminale ndërkohë që duhet të ishte e kundërta dhe se qeveria ishte fokusuar më shumë tek mbajtja nën vëzhgim e qytetarëve duke përdorur patronazhistët.
https://kohajone.com/hiqen-20-kamera-spiune-te-grupeve-kriminale-ne-fier-dhe-lushnje-5-persona-nen-hetim/