Kampi me refugjatë, Rama: Zero interes! Franca e bën, atëherë pse Shqipëria qenka gabim?
Kryeministri Edi Rama është kthyer në kryefjalën e mediave italiane, pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologen italiane Giorgia Meloni për refugjatët që do të strehohen në Shqipëri. “Është 1 qendër, jo 2 siç thonë mediat. Është një terminal special për verifikimin e parë pranë Portit të Shëngjinit, dhe pastaj do çohen në qendrën e emigrantëve në Gjadër e cila ka vetëm 3 mijë vende”,-thotë Rama.
Edhe një herë tjetër, Rama këmbëngul se s’ka asnjë interes të fshehtë pas marrëveshjes. “Cili ishte interesi i Italisë të na priste ne në vitet që largoheshim nga vuajtjet e regjimit ndërsa na priti krahëhapur? Cili ishte interesi i Italisë kur ne ishim në vuajtje e sipër? Cili ishte interesi i Italisë kur na dërgoi zjarrfikësit në tërmetin e tmerrshëm? Për ne Italia është speciale, nuk ka një interes direkt”,-tregon më tej ai.
Përballë moderatorëve të emisionit “Metropolis” në La Repubblica, kryeministri Rama tha se teksti i marrëveshjes është brenda kornizës së të drejtave ndërkombëtare. ”Shqipëria nuk është anëtare e BE, por nga ana tjetër jemi një shtet europian afër Italisë, na ndan deti. Përshembull, nëse Franca apo një vend tjetër marrin emigrant nga Italia, ku i çojnë? I çojnë në një qendër për të bërë procedurat, verifikimet, kontrollet dhe për të trajtuar çdo rast. Pse duhet të jetë diçka që nuk shkon nëse e njëjta procedurë dhe kritere aplikohen te një vend që nuk është në BE?”,-argumenton Rama.