Kampi për refugjatët, Spiropali: I bën nder Shqipërisë!

Ministrja Elisa Spiropali, thotë këtë mbrëmje se marrëveshja me Italinë për refugjatët që do të strehohen në Shëngjin nuk lindi sot. Sipas saj, marrëveshja është e domosdoshme dhe i bën nder Shqipërisë.

“Kur një marrëveshje nënshkruhet mes dy kryeministrave, kalon në të dyja qeveritë. Në muajin gusht është ngritur një grup pune, ku ka qenë ministri i Drejtësisë, ministri i Brendshëm, i Mbrojtjes, i Shëndetësisë, Policia e Shtetit, që kanë hartuar këtë marrëveshje.

Nuk u zgjua një ditë, këto janë punë të qeverisë, jo të diskutimeve publike. Ajo marrëveshje ka kaluar në Këshillin e Ministrave më 6 nëntor, pastaj Rama e ka nënshkruar. Ka pasur diskutime, sugjerime, ndryshime të tekstit fillestar, e deri në produktin final që u nënshkrua. Kjo marrëveshje nuk ka dalë nga një xhep për të hyrë në një xhep tjetër, për të hyrë fshehurazi nga një derë. Nuk e kërkon ligji, konsultimi publik vjen pasi nënshkruhet marrëveshja.

Ne gjykojmë që marrëveshja është e domosdoshme dhe i bën nder Shqipërisë. Shqipëria ka pranuar që të nënshkruajë një marrëveshje të tillë e cila është në vazhdën e përvojave që kanë dëshmuar që Shqipëria është një vend që është gati të japë siguri dhe të jetë pjesë e marrëveshjeve të rëndësishme”,-u shpreh Spiropali në Top Story.

SHKARKO APP