Kancelari Sholz në Prishtinë: E papërfytyrueshme që vendet që nuk njohin njeri tjetrin të bëhen pjesë e BE-së
Kancelari gjerman Olaf Sholz u bëri thirrje të premten Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për një marrëveshje e cila e zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, duke theksuar se vende që nuk e njohin njëri tjetrin nuk mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.
Ai i bëri këto komente pas takimit në Prishtinë ne kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në fillim të vizitës së tij në rajon, gjatë së cilës më vonë gjatë ditës do të qëndrojë edhe në Beograd.
Kancelari Scholz tha se përparësi e qeverisë së tij është të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.
“Me rëndësi për Kosovën është që bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian të përparojnë dhe në kohëra si kjo, vlerat e sigurisë dhe lirisë bëhen edhe më të qarta sërish dhe një arsye e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike e cila kontribuon në qëndrueshmërinë rajonale”, tha kancelari gjerman, duke theksuar se një marrëveshje politike në mes të dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune dhe për ardhmërinë e të rinjve në Kosovë.
“Është e qartë që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e papërfytyrueshme që dy vende që nuk e njohin njëri tjetrin të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. I lus sot të dyja palët për një zotim të qartë për dialog, të dyja palët duhet t’i qasen njëri tjetrit dhe të punojnë së bashku edhe nëse kjo duket e vështirë”, tha kancelari Sholz.
Duke folur përkrah kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kancelari Sholz tha se Gjermania po punon për të bindur partnerët e saj evropianë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
KOHA JONË SONDAZH

