Kandidat për ambasador në Zvicër, Mustafa Nano: Zë aktiv në mbrojtje të komunitetit shqiptar
Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi këtë të hënë një seancë dëgjimore me Mustafa Nanon, kandidat për Ambasador i Shqipërisë në Zvicër. Në fjalën e mbajtur para anëtarëve të komisionit, Nano u shpreh se në Zvicër jetojnë e punojnë një komunitet i madh shqiptarësh.
“Shtetas shqiptarë janë rreth 6 apo 7 mijë por në tërësi shqiptarë janë mbi 300 mijë dhe në një vend të vogël si Zvicra nuk janë pak. Janë një shifër që i imponohet atij realiteti në të gjitha aspektet e në të gjitha format”, tha Nano. Nga ana tjetër, ai siguroi se do të jetë një zë aktiv në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.
“E kam fjalën edhe për diasporën kosovare. Kosova ka shtetin e vetë por ambasadat tona e kanë bërë të udhës që ta mbajnë hapur derën për shqiptarët e të gjitha viseve. Duke mbajtur një fokus të veçantë që detyra që mua më takon, të përgjigjem për vendin tim, por edhe për ata shqiptarë që i përkasin vendit tim. Do doja të isha më aktiv, sa herë për shqiptarët flitet e raportohet në media, sa herë flitet në politikën zvicerane. Do doja që zëri i ambasadorit të jetë i pranishëm, në forma të caktuara”, tha ai. Nano u shpreh se fokusi tjetër i punës së tij do të jenë nxitja e marrëdhënieve mes dy vendeve në terma ekonomikë e kulturorë.