Kandidatët e LSI, Kryemadhi: Do kemi personalitete dhe njerëz me meritokraci në fushat e tyre profesionale dhe akademike

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi intervistë për Report Tv, flet për aksionin e opozitës së Bashkuar, paritë e reja opozitare, nuk kursen sulmet për kryeministrin Edi Rama.

Në intervistën për Report Tv, kryetarja e LSI-së, Monka Kryemadhi ka deklaruar se Klevis Balliu, i përjashtuar tashmë nga listat e PD-së për deputet, nuk do të garojë me LSI në zgjedhjet e25 prillit.

Zonja Kryemadhi faleminderit që gjetët kohën në mes të takimeve me elektoratin, me strukturat tuaja. Duket se LSI nuk ka humbur kohë kur ka nisur numërimi mbrapsht për zgjedhjet, ju keni nisur takimet në bazë me strukturat. Si po shkojnë takimet?

Në fakt dua t’iu falenderoj ju që i krijoni mundësi LSI-së për të kaluar dhe për të transmetuar mesazhin e saj nëpërmjet televizionit tuaj. Ajo që doja të ndryshoja pak në pyetjen tuaj, është që nuk ka të bëjë me fushatën elektorale, por ka të bëjë me ndikimin dhe kontaktin e herëpashershëm që ne si LSI kemi me të rinj dhe të reja. Forca e LSI-së kanë qenë gjithmonë të rinjtë dhe të rejat dhe ajo që ne jemi në hapësirën sot kryesore, mendojmë se sot një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria është shpopullimi dhe rikthimi i shpresës te të rinjtë, për të mos u larguar nga Shqipëria, por për të marrë fatet e tyre në dorë. Për hir të së vërtetës në 30 vite tranzicion, sado që në momente të caktuara ka pasur luhatje po themi, qoftë pushteti apo politika të ndryshme për sa i përket forcave të ndryshme politike, shqiptarët kanë pasur herë pas here lëvizje dhe rikthime në Shqipëri. Por vitet e fundit shpopullimi ka qenë në një masë jashtëzakonisht të madhe. Mjafton të shikosh se çfarë ndodh. Nëse ikën një serb nga Serbia, nga Shqipëria ikin 18 shqiptarë. Pra largohen të rinj. Nëse nga Shqipëria ikin 4-5, nga Kosova ikën një i ri apo me Malin e Zi, Kroacinë e me vendet e tjera të Rajonit.
Një nga pikat tona kryesore sot është jo vetëm sensibilizimi i të rinjve, por duke pasur parasysh që ne kemi përfshirë të rinjtë dhe gjithmonë energjia e LSI-së kanë qenë të rinjtë dhe të rejat, sot më shumë se kurrë ndihet e nevojshme që LSI-ja të jetë një mundësi për të rinjtë dhe të rejat, për të ndryshuar jo vetëm realitetin, por edhe për të qenë nesër qeveria e ardhshme po themi, ata që qeverisin, që realizojnë reformat dhe shumë detyrime të tjera që ka qeveria shqiptare, për sa i përket procesit të integrimit europian. Ne jo vetëm që kemi si vizion të LSI-së, por edhe besojmë te forca e të rinjve, sepse edhe vetë LSI-ja është strukturë e të rinjve, mjafton të shikosh që në themelimin e saj dhe historikun 16 vjeçar.

Për t’u ndalur pak në listat që do të paraqesë LSI-ja për zgjedhjet e 25 prillit, ju keni deklaruar se këto lista finale nuk do të kenë ndryshime nga grupi parlamentar i 2017. Do të kemi surpriza zonja Kryemadhi? Flitet në fakt se do të përfshini në listat tuaja për deputetë edhe një nga të përjashtuarit le ta quajmë nga anëtarësia e Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Do t’i jepni një përgjigje shqiptarëve?

Në fakt unë Klevisin e njoh që fëmijë. Klevisi është anëtar i PD-së, nuk është anëtar i LSI-së dhe këtu nuk është problemi që ne t’i bëjmë karshillëk njëri tjetrit. Unë jam e bindur që vlerësimin e Partisë Demokratike të Klevis Balliut nuk ka ngelur që t’ia bëjmë ne, por t’ia bëjë vetë kryetari i saj dhe PD-ja. Unë nuk mendoj se të qënurit në listat e deputetëve është po themi gjë e domosdoshme. Ajo që është shumë e rëndësishme është që listat e LSI-së, do të jenë lista të cilat do të vijnë pas një lloj procesi, jo vetëm të përfshirjes së anëtarësisë, por edhe të opinionit publik, edhe të leximit të kandidatëve të mundshëm që mund të ketë LSI-ja në qarqe të mundshme. Ne kemi përzgjedhur koordinatorë politikë, të cilët janë jo vetëm koordinatorë politikë për përgatitjen e axhendës elektorale, por edhe për ngritjen e grupeve të punës gjatë fushatave elektorale, të cilët jo vetëm marrin angazhimin e tyre nëpër struktura, por edhe një angazhim të gjithë përfshirjes së gjithë elementëve që i duhen një partie politike në fushatë elektorale. Sepse mund të jesh simpatizant, por nuk do të jesh anëtar i partisë. Mund të jesh militant që punon në fushatë dhe je mjaft aktiv, por nuk do të jesh i përfshirë në listat e deputetëve.

Për një gjë ju garantoj, që ne do të jemi shumë të  kursyer për sa i përket biznesmenëve, me lidhje të forta me bizneset apo ata që kanë qenë edhe përfitues me tenderë publik, që nuk do të jenë  pjesë në listat tona. Ne do të përkushtohemi shumë te njerëz që janë personalitete dhe njerëz me meritokraci në fushat e tyre profesionale dhe akademike e sidomos ajo për të cilën ne shquhemi, partia e të rinjve dhe të rejave, pra do të jenë shumë të rinj dhe të reja. Mendojmë që sot shqiptarët më shumë se kurrë duan t’i japin fund tranzicionit. Pavarësisht se mund të kemi figura të cilat kanë kontribut 16 vjeçar në LSI, njerëzit do të duan të shikojnë që këtij kontributi 16 vjeçar të figurave të LSI-së, t’i shtohen edhe kontribute të reja që vijnë me të rinj dhe të reja, të cilët kanë mbaruar studimet jashtë shtetit, duan të rikthehen në Shqipëri, apo shumë të rinj dhe të reja të cilët janë studentë të ekselencës, pjesë e profesionit të lirë në Shqipëri e që duan të jenë të përfshirë në këtë jetë politike.

Kështu që ky do të jetë një miksim i këtyre individualiteteve, që ka nevojë jo vetëm për hapjen e partisë, por edhe për të sjellë një frymë të re, por edhe një vizion të ri, sepse unë jam e bindur që fëmijët e mi mund të jenë më përparimtarë dhe më të evoluar, për sa i përket përdorimit të kompjuterit, telefonit e të tjera. E kështu në politikë ndodh që ka djem dhe vajza të rinj, të cilët vijnë me ide të reja për politikën, për arsimin, për ekonominë, për shëndetësinë pra po themi metodologjinë  e vjetër të tranzicionit që duan apo nuk duam ne vazhdojmë të jemi dhe jam e bindur që do ti japim n jë fund këtij tranzicioni politik ekonomik dhe social që ka Shqipëria prej 30 vitesh.

SHKARKO APP