PD merr vendimin e rëndësishëm: Kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë përzgjidhen nga anëtarësia
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur ditën e sotme Kryesinë e PD. Në këtë mbledhje është marrë vendimi i rëndësishëm për hapjen e procesit të perzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga anëtarësia.
Partia Demokratike fillon nga sot perzgjedhjen e kandidatëve për deputetë duke shënuar kështu nisjen e fushatës elektorale. Kryesia e Partisë Demokratike miratoi mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, ku rolin kryesor e ka anëtarësia. Ky është një nga hapat më të rendësishem që ndërmerr një parti politike në Shqipëri bazuar në praktikat më të mira demokratike, përmes të cilit fuqizohet anëtarësia, rritet roli i saj dhe garantohet një lidhje dhe llogaridhënie e fortë mes të zgjedhurve dhe anëtarit të partisë. Për herë të parë do të ngrihet një komision i vlerësimit të kandidaturave.
Rregullat dhe parimet mbi të cilat do të kryehet përzgjedhja e kandidatëve ndahen në katër faza:
1. Identifikimi dhe propozimi i kandidatëve nga anëtarët. Çdo anëtar ka të drejtën e propozimit të një kandidati. Edhe ata individë që nuk janë propozuar nga anëtarësia, kanë të drejtën e vetëpropozimit.
2. Verifikimi dhe seleksionimi i kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.
3. Konsultimi i listës së kandidatëve potencialë nga anëtarësia me parimin 1 anëtar, 1 votë.
4. Zyrtarizimi i listës nga Kryesia e partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar.
Kryetari i PD Lulzim Basha jetëson një premtim të tij për hapjen dhe demokratizimin e partisë dhe fuqizimin e rolit të anëtarësisë në vendimmarrjet më të rendësishme politike.
Duke marrë vendimet më të rëndësishme me anëtarësinë, PD jep shembullin e saj se si do të jetë vendimmarrja e saj në qeverisjen e vendit.
Dokumenti i plotë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie të Partisë Demokratike