Kaos në opozitë/Kryesia e PD-së zyrtare shfuqizon nga detyra dhe i merr vulën Gazment Bardhit
Në këtë vapë të madhe, në PD-në e vulës, ka zhvillime pak ditë para 29 korrikut, kur Lulzim Basha do të marrë drejtimin e PD. Vetëm disa orë pasi sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi paralajmëroi mbledhjen e Këshillit Kombëtar me qëllim që të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar më 29 korrik, Kryesia e partisë ka marrë vendimin për ta shfuqizuar atë nga posti i kryetarit.
Nuk është degjuar kurkund ky turp që po ndodh në PD, ku kacafyten dhe shajnë njeri tjetrin, ndërkohë që përballë kanë një pushtet që ka marrë gjithçka.
1/5 e anëtarëve të kryesisë së PD zyrtare kanë mjaftuar për të marrë vendimin që në vend të Bardhit në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të vendoset Indrit Sefa, i cili mund të administrojë vulën e partisë.
Nga ana e tij Gazment Bardhi thotë se ky është një veprim dhe akt qesharak nën efektin e dëshpërimit. Me këtë vendim të Kryesisë, vulën e partisë nuk do ta administrojë më sekretari i Përgjithshëm, numri i dy i partisë, siç ka qenë deri më tani. Në reagimin e tij, Bardhi thotë se satuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë.
REAGIMI I PLOTË I BARDHIT
Nuk e kam zakon të komentoj veprime dhe akte qesharake dhe nën e efektin e dëshpërimit. Por për kureshtjen tuaj:
Vula administrohet sipas nenit 8 të Statutit dhe urdhrit nr. 218, datë 07.11.2019 të Kryetarit të Partisë; ndërsa dokumentimi, arkivimi, dhe protokollimi bëhet sipas nenit 21 të Statutit të Partisë dhe rregullave të miratuara me udhëzimin nr. 8, datë 19.01.2020 të Sekretarit të Përgjithshëm.
Statuti i Partisë nuk ndryshohet me vendim të Kryesisë, e aq me pak me vendim pa kuorum të kryesisë! Statuti është vullnet i përbashkët i rreth 7000 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD.
Për këtë arsye, për zhvillimet në PD referojuni vetëm dispozitave të Statutit, se me letra, me firma mund t’ju vij këto ditë edhe ndonjë vendim për sekuestrimin nga “Kryesia e PD” e kurorës së mbretit të Anglisë.