Kaosi në Kuvend, Meta: Burgosja e Salianjit do të rrisë zemëratën e deputetëve. Problemi nuk janë disa karrige
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se burgosja e Ervin Salianjit do të rrisë më tej zemëratën e deputetëve dhe qytetarëve shqiptarë. Për gazetarët, Meta nënvizoi edhe se qëndrimi i Edi Ramës është të mos ketë opozitës ose të jetë e telekomanduar.
”Burgosja politike e deputetit Salianji, që ka qenë Në krye të denoncimeve të forta kundër kësaj regjimi, jo vetëm që nuk, do të ndërpresë denoncimet por do të rrisë më tej zemëratën e deputetëve dhe qytetarëve. Këtu problemi nuk janë disa karrige por vendi që është përfshirë nga flakët e krimit të organizuar, flakët e një korrupsioni skizofrenik”, tha Meta.
Dy seancat e fundit plenare në Kuvend u shoqëruan me tensione dhe përplasje të forta. Pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë dhe hodhën sende në drejtim të saj.
Më pas ata morën karriget e tyre dhe i dogjën jashtë Kuvendit, ndërsa pati edhe debate deri në konfrontim fizik. Ky aksion vijon pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për akuzën e kallëzimit të rremë. Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet, ndërsa më 7 tetor do të nisë vala e protestave.