Kaosi në Kuvend, Rama: Sa kohë do ketë boks dhe flakadanë, ne do votojmë dhe do ikim

Në konferencën me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë ”Rama 3” prej dy ditësh në Shëngjin, kryeministri Edi Rama u pyet mbi veprimin e mazhorancës nëse Presidenti Bajram Begaj do të kthente mbrapsht projektligjin për Komisionet Hetimore, tha se një mundësi e tillë nuk ekziston pasi ligji është bazuar në modelin gjerman. Dhe theksoi se për projektligjin nuk do të ketë negociata me opozitën.

Muajt e fundit në Kuvend, pamë seanca në kaos, flakadanë, përplasjes të deputetëve me gardën dhe këto u shkaktuan nga grupi i Bardhit dhe Berishës, dhe për këtë Rama tha se përsa kohë situata do të jetë e njëjtë, qeveria do të votojë dhe do të largohet nga seanca. Kryeministri tha se problemi i Sali Berishës me drejtësinë nuk është problem i popullit shqiptar dhe se parlamenti nuk duhet të ndikohet nga ky proces.

”Lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike apo konceptuale. Bëhet për një problem që ju e dini të gjithë. Një problem njerëzor por jo i kësaj shoqërie dhe i këtij populli problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga parlamenti në ballkon dhe pret nga parlamenti përplasje. Siç prisnin ata në Romë, ata që rrinin atje në Lozhë dhe skllevërve të tyre u thonin përplasuni me luanët. Por ne nuk jemi as skllevër as luanë, jemi përfaqësues të shumicës që bëjmë punën tonë”,-tha kryeministri.

Rama bëri me dije se socialistët do të vijojnë me taktikën e voto dhe largohu, të përdorur gjatë fundit të 2023, për sa kohë siç tha ai opozita nuk ka argumente për t’u përballur me ta, por predikon akte force.

”Sa kohë përballë do kemi shëmbëlltyra të keqkuptimit të madh midis sportit fizik, të natyrës boks, mundje, hedhje disku, hedhje gjyleje apo ndezje flakadanësh për lojërat e ardhshme olimpike, ne do të votojmë dhe do të largohemi. Sepse ne do të bëjmë punën tonë, duke shprehur keqardhje sa herë të na jepet mundësia për qytetarët që i kanë votuar ata që janë aty për të na luftuar ne me argumente, që s’kanë mundësi të dëgjojnë argumente”,-tha më tej Rama.

SHKARKO APP