Kaosi në Kuvend, zbulohen tre skenarët e PS për të votuar buxhetin e vitit 2024

Me çdo kusht dhe mënyrë, PS-ja do të votojë p/buxhetin në seancë plenare javën e ardhshme të parashikuar në datat 20-21 nëntor, kur është programuar dhe miratimi në parim i drafteve. Edhe pse grupi i Berishës shkakton kaos në sallën plenare, me tymëse dhe karrige të grumbulluara, të majtët kanë në tryezë tre skenarë në rast se demokratët do të bllokojnë Parlamentin.

Socialistët kanë menduar përsëritjen e të njëjtit skenar me seancat e fundit, ku mes tymuesve të kalojnë në miratimin e buxhetit pa diskutime, nëse këto nuk do të mundësohen.

Socialistët kanë menduar alternativen tjetër: mbledhjen pa humbur kohë të Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar deputetët demokratë që bëhen pengesë dhe thirrjen e një seance tjetër mes të hënës dhe të martës.

Po në rast se opozita vendos që të mos dalë nga salla e Parlamentit duke u ngujuar aty, si do të veprojë PS? Departamenteve të Kuvendit u është kërkuar të gjejnë precedentë në historinë e parlamentarizmit për ta zhvendosur seancën në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Burime nga mazhoranca thonë që ky është skenari i fundit dhe më pak i mundshëm të ndodhë, por nuk do të ishte hera e parë. Në 2006, për shkak të protestës së LSI për një anëtar të KQZ, atëherë-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe PD spostoi mbledhjen pranë Kryesisë së Kuvendit, ndërsa PS e bojkotoi. /A2cnn/

SHKARKO APP