Kaosi nga PD në Kuvend/ Rama: Revoltë kundër vendimit të një gjykate! Ne ndërtojmë, ata djegin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për veprimet e opozitës sot në seancë plenare në Kuvend. Teksa mori fjalën në takimin që po zhvillohet në selinë e PS me aspirantët për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 2025 që kanë aplikuar në platformën “Deputeti që duam”, shefi i qeverisë u tregoi një foto nga skena e djegies së karrigeve në Kuvend. Sipas Ramës, ky imazh tregon diferencën në politikën shqiptare midis atyre që duan të mbjellin shpresë dhe shërojnë plagët e keqqeverisjes në Shqipëri dhe atyre që duan të djegin e shkatërrojnë të ardhmen e vendit

”Ky është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvend, për tu ulur në ato karrige dhe për të përfaqësuar ata që i çojnë atje në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate. Pse e solla këtu këtë imazh, sepse dua të them pak fjalë për politikën.

Është një mjet që i ka bërë gjëra jashtëzakonisht të mëdha në historinë e njerëzimit, por edhe katastrofa të mëdha, refuzimi i politikës apriori, si diçka e keqe, e pistë me të cilën më e mira është të mos ngatërrohesh, është foshnjarak sepse është e pamundur që ta vendosësh ti çfarë poltika bën apo nuk bën me ty.

Ti mund të vendosësh se sa ti mund ta ndikosh politikën duke u marrë me të, por në rast se i kthen kurrizin, refuzon të merresh me të, ajo ka gjithë pushtetin të merret me ty. Çdo gjë jashtë dyerve të shtëpisë lidhet me politikën dhe vendimet e saj. Por edhe brenda shtëpisë shumëçka lidhet me politiken dhe vendimet e saj”,-tha Rama.

SHKARKO APP