Kapen vrasësit e vëllezërve/Lleshaj: Sukses i Policisë së Shtetit
Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia më datë 27 prill në Durrës, ka çuar në arrestimin e 2 të rinjve. Përmes një postimi në facebook, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas aksionit të Policisë së Shtetit. Lleshaj shkruan se kjo goditje tjetër e fortë kundër krimit të organizuar provon se as pandemia nuk arrin të cenojë sadopak angazhimin e Policisë. ”Policia e Shtetit, drejtuesit dhe punonjësit e saj në të gjitha nivelet meritojnë urimet më të mira për sukseset e shënuara gjatë gjithë këtyre ditëve të pazakonta, ku spikat pa dyshim, goditja e fortë në Durrës”.
Postimi i plotë
Zbardhja e plotë dhe arrestimi i të dyshuarve për dy vrasje në Durrës është një sukses i rëndësishëm i Policisë së Shtetit. Kjo goditje tjetër e fortë kundër krimit të organizuar provon se as pandemia dhe asgjë tjetër nuk arrin të cenojë sadopak angazhimin e Policisë sonë në këtë front prioritar.
Lufta kundër krimit të organizuar, kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve apo lëndëve narkotike, përmirësimi i parametrave të sigurisë rrugore dhe angazhimi i fortë kundër dhunës në familje janë prioritete absolute për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.
Policia e Shtetit, drejtuesit dhe punonjësit e saj në të gjitha nivelet meritojnë urimet më të mira për sukseset e shënuara gjatë gjithë këtyre ditëve të pazakonta, ku spikat pa dyshim, goditja e fortë në Durrës.
Të njëjtat falënderime i drejtohen dhe prokurorëve të Prokurorisë Durrës, të cilët kontribuuan thelbësisht në suksesin e operacionit “Shën Vlashi”, duke dëshmuar kështu bashkëpunimin përherë e më të mirë mes Policisë së Shtetit dhe degëve të Prokurorisë në të gjithë vendin.
Për këdo që ka humbur rrugën e jetës së ndershme dhe është futur në udhën qorre të krimit, një gjë duhet të jetë e qartë: është vetëm çështje e shkurtër kohë. Të gjithë do të përballen me ligjin. Edhe njëherë urime për Policinë Shqiptare!